FIFA shpall kandidatët për çmimin e më të mirit

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), ka shpallur të hënën kandidatët për çmimin e futbollistit më të mirë të vitit 2021. Çmimi i FIFA-s për më të mirin, “The Best”, zbulohet në një ceremoni “online” që do të mbahet më 17 janar të vitit të ardhshëm. Dy panele ekspertësh, një për futbollin e femrave e një për atë të meshkujve, kanë përzgjedhur kandidatët për secilën kategori.

Karim Benzema, Kevin de Bruyne, Cristiano Ronaldo, Erling Haaland, Jorginho, N’Golo Kante, Robert Lewandowski, Kylian Mbappe, Lionel Messi, Neymar, Mohamed Salah, kandidojnë për çmimin e futbollistit më të të mirë të vitit, “The Best FIFA Men’s Player”.

Antonio Conte, Hansi Flick, Pep Guardiola, Roberto Mancini, Lionel Scaloni, Diego Simeone, Thomas Tuchel janë kandidatë për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit. Ndërsa për portier të vitit 2021, konkurrojnë: Gianluigi Donnarumma, Edouard Mendy, Manuel Neuer e Kasper Schmeichel. Votimi publik është hapur në sajtin zyrtar të FIFA-s. Votimi është i hapur deri më 10 dhjetor.

Në fillim të janarit, FIFA do të shpall nga tre finalistë për të gjitha shtatë kategoritë për të cilat ndanë çmime. FIFA shpall edhe futbollisten më të mirë, trajnerin më të mirë te futbollistet dhe portieren më të mirë. Ndahet po ashtu çmimi për golin më të mirë, “FIFA Pushkash Award”. Por nominimet për golin më të mirë, FIFA nuk i ka publikuar. Zgjedhja e më të mirëve bëhet nga përzgjedhësit e përfaqësueseve, kapitenët e përfaqësueseve, gazetarët sportivë dhe votat e tifozëve. FIFA ndan çmimin “The Best” që nga viti 2017. Më herët FIFA e ka ndarë Topin e Artë së bashku me “France Football”. Vjet më i miri sipas FIFA-s, u shpall Robert Lewandowski i Bayernit. Sulmuesi polak është kandidat i fuqishëm edhe këtë vit.

Pos FIFA-s dhe “France Football” më të mirin e shpall edhe UEFA. Por “Ballon d’Or” vazhdon të mbetet çmimi individual më i vlerësuar në futboll.