FFK ulë pagat e punëtorëve deri në 50%

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së sot mbajti mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, ku diskutoi për situatën në futbollin e Kosovës, pas përhapjes së Pandemisë së Covid 19.

KE analizoi opsionet e mundshme për rifillimin e garave dhe për këtë FFK-ja është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet shtetërore, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe KOK-un sikur edhe me UEFA-n dhe FIFA-n dhe varësisht prej situatës së shpejti pritet edhe të merret vendimi për garat në futbollin e Kosovës.

KE trajtoi gjendjen dhe ecurinë e realizimit të projekteve infrastrukturore, të cilat edhe në këtë kohë të vështirë janë kryer shumë punë varësisht nga rrethanat e lejueshme dhe do të vazhdojnë edhe më tutje.

KE shqyrtoi dhe miratoi Raportin Financiar për vitin 2019.

Duke parë gjendjen e rëndë me të cilën po ballafaqohet Kosova, KE mori vendim që pagat e të punësuarve në FFK, të ulen deri në 50 për qind e të cilat mjete do të shfrytëzohen për pako ushqimore për njerëzit me nevojë.