Fetoshi: Shoqëria është e polarizuar në përmasa shqetësuese

Reforma në arsim, digjitalizim të shkollave, përfaqësimin sa më dinjitoz dhe këmbëngulës të nevojave dhe interesave të qytetarëve, e po ashtu mbështetje të fermerëve me grante dhe subvencione, po premton kandidati për deputet, Arben Fetoshi. Ai është pjesë e listës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe guximin për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit e shpjegon me një thirrje të brendshme, ndërkohë shton se kjo ndërlidhet me rolin dhe detyrën intelektuale.

Fetoshi, në një intervistë për KosovaPress, theksoi se qytetarët janë të brengosur si shkak i sfidave me të cilat përballet vendi. Ai shtoi se Kosova po ballafaqohet me padrejtësinë e madhe të Gjykatës Speciale, që sipas tij, është goditje për themelet e Republikës së Kosovës.

“Ajo që po ndodhë me mbajtjen e padrejtë në Hagë të liderëve tanë kryesorë të shtetndërtimit, liderëve tanë të Partisë Demokratike e Kosovës, por edhe të udhëheqësve tjerë të UÇK-së, përbën një goditje të rëndë dhe një sfidë serioze për shtetin e Kosovës. Unë besoj që Republika e Kosovës duhet t’i përgjigjet shumë seriozisht kësaj sfide. Për shkak se jam i bindur që jemi në fazën më kritike të përmbylljes së shtetndërtimit dhe besoj që na nevojitet më shumë reflektim, unitet dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin”, ka theksuar Fetoshi.

Profesori i komunikimit vë në dukje edhe brengën për një gjuhë politike të degraduar konfliktuoze, e cila po dëmton edhe shoqërinë.

“Një prej fokuseve të mia në qoftë se do të marrë besimin qytetar për të qenë në Kuvendin e Kosovës do të jetë përpjekja që sado pak të kontribuojë në një gjuhë të kujdesshme, në një komunikim më cilësor politik. Me qëllim që të kursejmë sa më shumë qytetarët prej këtij reflektimi negativ që pashmangshëm ndikon negativisht në shëndetin e publikut tonë. Për shkak se komunikimi politik pashmangshëm ndikon edhe në komunikimin ndërqytetarë. Dhe ne e kemi parë që kemi një polarizim të shoqërisë në përmasa shqetësuese”, shton ai.

Arben Fetoshi vjen nga ‘kryeqyteti’ i bujqësisë, ai zotohet që njeh mirë hallet e të gjithë atyre që me mund kultivojnë kultura të ndryshme bujqësore.

Për Rahovecin premton shumë, duke thënë se do t’iu ofrojë mbështetje të mëdha fermerëve që shteti të përkujdeset për një fazë të re të zhvillimit të bujqësisë me grante dhe subvencione.

“Te plani i rimëkëmbjes ka një zotim të rëndësishëm që lidhet me dyfishimin e granteve dhe subvencioneve, që lidhet me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për të siguruar çmimin dhe shitjen e rrushit në Rahovec dhe në Suharekë në veçanti. Si dy rajonet ku më së shumti kultivohet vreshtaria”, thekson Fetoshi për KosovaPress.

Fetoshi thotë se besimi i qytetarëve është gjëja më e shenjtë, ndaj ai rendit edhe tri zotimet si deputet i ri i Parlamentit të Kosovës.

“Sfidat e shtetndërtimit në veçanti. Përfaqësimin sa më dinjitoz dhe këmbëngulës të nevojave dhe interesave të qytetarëve. Në veçanti meqenëse fola për rajonin prej nga vij, natyrisht që jam shumë i përkushtuar që të këmbëngulë në domosdoshmërinë e një mbështetjeje sa më të madhe për fermerët, për ata që punojnë, për djersën e tyre. Për arsye se ne e kemi për borxh që si shtet të respektojmë dhe nderojmë ata njerëz që prej mëngjesit deri në darkë i përkushtohen punës”, zotohet Fetoshi.

Profesor Arben Fetoshi thotë se është e papranueshme që të rinjtë dhe të rejat nga Kosova të kërkojnë perspektivë jashtë kufijve. Duke bërë thirrje për besimin me votë, ai premton edhe reforma në arsim dhe digjitalizim të shkollave. Arben Fetoshi mban numrin 41 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës.