Festivali më i madh fetar në botë infekton mijëra njerëz me COVID-19

Të paktën 1 mijë persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus vetëm 48 orë nga mbajtja e festivalit më të madh fetar në botë, “Kumbh Mela”, në Uttarakhand të Indisë.

Rastet e reja janë konfirmuar vetëm në qytetin Haridwar, i cili shtrihet pranë lumit Ganges, ku u mbajt edhe festivali.

Besimtarë, po jo vetëm, nga e gjitha bota, zhyten në lumin Ganges, duke shpresuar në largimin e mëkateve. Këtë vit ata u lutën edhe për largimin e pandemisë.

Një valë e re infeksionesh është duke u përhapur thuajse në të gjithë Indinë, ndërsa ekspertët fajësojnë kryesisht festat fetare, të cilat kanë bërë që të krijohen shumë grumbullime. Të martën, India miratoi edhe vaksinën ruse Sputnik dhe synon që brenda një kohe të shkurtër të vaksinojë të gjithë popullsinë prej 1,3 miliardë personash.