Festa e Moskës në Shkup prishet nga kundërshtarë të Vladimir Putinit

Festa e Moskës në Shkup prishet nga kundërshtarë të Vladimir Putinit

Ambasada ruse në Shkup si asnjëherë më parë ka manifestuar Ditën e Fitores në qendër të qytetit. Ambasadori rus Sergey Bazdnikin i shoqëruar së bashku me stafin e tij dhe me ambasadorin kinez Zhang Zuo kanë ndjekur drejtpërdrejt nga Moska, sekuenca të paradës ushtarake ruse të vitit 1945 si dhe fjalimin e sotëm të presidentit Vladimir Putin, të cilat u shfaqën në një nga ekranet më të mëdhenj në shesh.

Pavarësisht simbolikës që tentonte të përcillte kjo ngjarje, numri i qytetarëve që e ndiqnin manifestimin ishte tepër i paktë. Kjo paradë, synonte të tregonte muskujt e Rusisë dhe pozitën e saj në botë, ndërsa një fenomen i tillë ishte i pazakontë në qendër të Shkupit.

Në një ngjarje më herët, në rrugën “9 Maji” në Shkup, ambasadori rus, Bazdnikin që kishte vendosur lule për nder të kësaj dite, ai ishte shprehur me tone komuniste për linja të kuqe të Rusisë.

“Nëse dikush nuk dëshiron të bëjë dialog, zgjedh ton egoist dhe arrogant, Rusia gjithnjë do të gjejë mënyrë për ta mbrojtur pozicionin e saj. Shpresojmë se askush nuk do të mendojë ta kalojë të ashtuquajturën ‘linjë të kuqe’ në raport me vendin tonë. Ku do të vizatohet kjo linjë, siç ka theksuar presidenti Putin, në secilin rast konkret do ta definojmë vetë”, kishte theksuar ambasadori Bazdnikin.

Ngjarja ruse nuk kaloi pa rënë në sy edhe nga kundërshtarë të pushtetit rus.

Në shesh u vendosën parulla të ndryshme kundër Putinit, me mbishkrimet “A është kjo fitorja?” duke shfaqur imazhe të presidentit rus me shenjën e rrezikut [hazard] deri edhe karikaturën për opozitarin Alexei Navalny, me mbishkrimin “A jeni gati të merrni dozën e dytë të helmit nervin Novichok?”.

Nuk ishte lënë pa u përmendur edhe ndërhyrja ruse në Krime. Madje teksa në ekran shfaqej parada, mbi kokat e grupit që ndiqte paradën drejtpërdrejtë, një dron fluturoi me mbishkrimin “Putinizëm”, si sinjal i qartë kundër Rusisë.

Megjithatë ngjarja që ishte me një simbolikë të madhe, me paradë në ekranin e sheshit u bojkotua nga autoritetet e larta të Maqedonisë së Veriut, të cilët gjithashtu treguan sinjalin se e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Gjithsesi prezent ishte kreu i Komunës Qendër të Shkupit, Sasha Bogdanoviq.

Kohë më parë, Bogdanoviq kishte deklaruar se nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe se e respekton Kushtetutën e Serbisë, e cila ende e konsideron vendin tonë si territor të saj.

“Unë personalisht kam qëndrim për Kosovën. Ajo është pjesë përbërëse e Serbisë. E respektojë Kushtetutën e Serbisë. Normalisht kam qëndrimin tim rreth kësaj çështje”, ishte shprehur ai në një emision televiziv.

Në muajin mars të 2018-së, Ambasadës ruse iu përzu një prej sekretarëve të saj, Sergey Babkin, që sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, kishte tentuar të merrte informata sekrete si dhe të instalonte agjentë në pjesën e pushtetit ekzekutiv të vendit.

Fryma pro-ruse ishte ndjerë edhe gjatë konsituimit të kuvendit të ri dhe ngjarjeve të përgjakshme të 27 prillit të 2017-së. Vetë kryeministri Zoran Zaev që mori dy plagë në kokë gjatë sulmit, deklaroi se në ngjarje ishte e përfshirë edhe Rusia, në atë që ai e quajti “tentativë e Moskës për të fituar ndikim” në Maqedoni të Veriut.

Rusia ishte e zëshme edhe gjatë procesit të zgjidhjes së emrit të vendit, duke mbrojtur qëndrimin se procesi synonte anëtarësimin në NATO-s dhe ishte kundër vullnetit të shumicës së qytetarëve. Këtë frymë ajo e përcillte edhe përmes partive satelite të saj “Edistvena Makedonija”, “E majta” dhe “Partia Demokratike Serbe”.

Maqedonia e Veriut kishte faktuar se rusët punonin kundër Marrëveshjes së Prespës, edhe përmes biznesmenit greko-rus Ivan Savidis, i cili kishte siguruar mbi 300 mijë euro për fushatë protestash në qershor të 2018 dhe nxitje përmes rrjeteve sociale kundër arritjes së marrëveshjes. Në dhunë morën pjesë edhe huliganë nga klubi i futbollit Vardar, që në atë kohë ishte në pronësi të milionerit rus Sergey Samsonenko, përndryshe edhe konsull nderi i Rusisë në qytetin e Manastirit.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës dhe zhbllokimit të procesit të NATO-s, ish-ambasadori rus i asaj kohe Oleg Scherbak, ishte shprehur hapur se në rast të një lufte NATO-Rusi, Maqedonia e Veriut do të ishte gjithashtu shënjestër e sulmit nga kjo e fundit.