Ferraj i VV’së, nga përshëndetja para trupit të Enver Hoxhës e deri tek thirrja për mosdëgjueshmëri të Amerikës

Presioni amerikan, e sidomos ai i Richard Grenellit, i dërguar i posaçëm i presidentit Trump për Kosovën, ka bërë që njerëzit e afërt të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti, të dalin kundër Amerikës, aleatit më të madh të Kosovës.

Së fundmi Anëtari i Kryesisë së VV-së, Hysamedin Ferraj ka kërkuar që Kosova të mos u bindet kërkesave të të dërguarit të Amerikës, Richard Grenell lidhur me heqjen e taksës.

Ai madje ka tentuar që për këtë të bindë edhe partnerin e VV-së në Qeveri, LDK-në duke sjellë fakte se me të cilat ai pretendon se edhe presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova ka qenë antiamerikan dhe në shumë raste ka dalë kundër Amerikës.

Feraj thotë se jeta politike e Rugovës ishte kundër qëndrimit zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fakt ky që ai thotë se nuk e dinë shumica e “rugovianëve” mustafistë.

Por kush është profesor Ferraj?

Në një video të siguruar nga Reporteri, ai shihet duke bërë homazhe me grushtin në kokë, pranë trupit të pajetë të diktatorit Enver Hoxha.

Ai ishte edhe punojës i Institutit të Studimeve Marksist-Leniniste i drejtuar nga Nexhmije Hoxha.

Bindjet e tij politike, edhe sot vazhdojnë të jenë të majta ekstreme.