Feronikeli, si kampion i ri i Kosovës, do të marrë pjesë në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve për herë të parë në histori të tij.
Feronikeli e festoi titullin e kampionit të Kosovës të dielën, të tretin në histori të tij.
Me këtë rast, skuadra nga Drenasi do ta ketë mundësinë të luajë për herë të parë në Champions League si kampion i Kosovës.
“Nikli” do të luajë në fazën parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, e cila do të organizohet në Kosovë, respektivisht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dhe, për momentin kampioni i ri i Kosovës i njeh dy kundërshtarët e mundshëm, ndërsa është në pritje të atij të tretë, pasi siç dihet, në këtë fazë marrin pjesë 4 ekipe.
Lincoln Red si kampion i Gjibraltarit dhe Santa Coloma, si kampion i Andorrës, tashmë do të jenë pjesë e kësaj faze.
Ndërsa, tash po pritet emri i ekipit të katërt, i cili vjen nga San Marino, ku për këtë vend po garojnë La Fiorita e Tre Penne, që po luajnë në fazën e “Play-Offit”.
Në rundin parakualifikues skuadrat ndahen në dy vazo, ndërsa më pas luhen ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja.
Fituesi i këtij rrethi do të luajë në rrethin e parë eliminator të Championsit, ndërsa humbësit do të përfundojnë në rundin e dytë kualifikues të Europa Leagues.
Ndeshjet e fazës parakualifikuese do të luhen nga 20 deri më 27 qershor të këtij viti.







