Feronikeli liron 7 futbollistë, në mesin e tyre është edhe golashënuesi më i mirë Kastriot Rexha

Kampioni në fuqi i futbollit kosovar, Feronikeli, i ka liruar shtatë futbollistët me të cilët fitoi gjithçka gjatë vitit 2019.

Në mesin e të liruarve, është edhe sulmuesi Kastriot Rexha, i cili ishte golashënuesi më i mirë i sezonit 2018/2019.

Lajmin e ka konfirmuar për Sportin në KTV, zëdhënësi i Feronikelit, Erlind Krasniqi.

“Kastriot Rexhës, Astrit Fazliut, Albutrint Morinës, Lulëzim Doshlakut, Haxhi Nezirajt, Milosh Krkotiqit dhe Arbër Prekazit, u kemi treguar se janë të lirë të gjejnë ndonjë klub tjetër gjatë afatit kalimtar të janarit. Lojtarëve në fjalë, ua kemi bërë të ditur se nuk do të kenë minutazhë të garantuar në ekipin e parë, për shkak të konkurrencës së madhe që është krijuar dhe do të krijohet. Shtabi teknik, në krye me Agim Sopin, nuk llogarisin më në këta lojtarë. I kemi sjellë disa lojtarë dhe do të ketë edhe ardhje të reja, andaj konkurrenca është shtuar shumë. Po ashtu, jeni duke e ripërtërirë ekipin me lojtarë të rinj dhe na duhet të bëjmë ndryshime. Politika e klubit do të jetë që nga Akademia të dalin një ose dy lojtarë çdo vit”, tha Krasniqi.

Ai ka shtuar se klubi nuk do ta harrojë kontributin e lojtarëve, më të cilët i fituan të gjithë titujt e mundshëm në Kosovë.

“Ne u jemi shumë mirënjohës këtyre futbollistëve më të cilët kemi arritur suksese të mëdha, duke fituar gjithçka në futbollin e Kosovës. Askush nuk mund ta mohojë kontributin e tyre për Feronikelin”, ka thënë Krasniqi.

Në stinorin vjeshtor, Feronikeli përfundoi në pozitën e pestë me 27 pikë, 7 më pak se lideri, Ballkani.