Fermerët paralajmëruan protestë, Hoti premton se do t’i qëndrojnë afër këtij sektori

Mbrëmë kryetari i këshillit koordinues ndërmjet shoqatave prodhuese dhe përpunuese të qumështit Ramadan Memaj ka paralajmëruar se nga dita e martë, 29 shtator, të gjithë fermerët, pikat grumbulluese dhe disa përpunues të qumështit do të fillojnë me protesta masive.

E gjithë kjo pas vendimit të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për ndalimin e importit të vajit të palmës, sipas qumështarëve.

Pas kësaj, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka mbajtur një konferencë për media në të cilën deklaroi se kryesisht ka ngopje të tregut me qumësht dhe si rezultat, përpunuesit e qumështit e kanë të pamundur ta shesin atë në treg dhe rrjedhimisht kanë vështirësi të pranojnë qumësht nga fermerët.

“Gjatë këtyre ditëve kemi bërë analizat e nevojshme dy fronte nëse mund t’i quajmë kështu, tek ministria e Tregtisë përmes për t’u siguru që në treg konsumatorët e dinë çfarë blejnë, pasi ka vërejte që nuk janë mjaftë të qartë nëse është me vaj palme apo me bazë qumështi. Sot janë në teren Ministria e Tregtisë dhe Inspektorët për t’u siguruar që në markete kudo që shiten produkte të qumështi dhe të tjera të bëhet e qartë, produktet që janë me bazë të vajit të palmës dhe me bazë të qumështi natyror. AVUK po punon intesivisht duke marrë mostra në teren, për t’u siguruar që produktet që shiten e kanë përmbajtjen bazë të etiketës që lejohet”, deklaroi Hoti, shkruan Indeksonline.

Gjithashtu kryeministri tha se e di sa e vështirë e kanë sot i gjithë sektori i këtij prodhimi të qumështit dhe se do t’i qëndrojnë afër, duke inspektuar tregun dhe për t’u siguruar që konsumatorët e dinë çfarë blejnë.

“AVUK do të jetë shumë i angazhuar për këtë. Po punojmë me ministrinë e Bujqësisë që t’u dalim në ndihmë fermerëve dhe përpunuesve të qumështin këtë kohë të vështirë, jo vetëm për ta por për shumicën e sektorëve në vend. Sektori i qumështit ka efekte implikuese në gjithë sektorin e bujqësisë, prandaj sot kemi ftuar konferencë që t‘u bëjmë të qartë se do të jemi afër tyre që t’i mbështesim me gjitha kapacitete ligjore që kemi në dispozicion, por duke respektuar tregun dhe konkurrencën e lirë. Sivjet kemi dhënë edhe premtimin publik dhe po bëjmë përgatitjet  nevojshme për të subvencioni bujqësinë”, tha ai.

Vendimi i marrë nga MTI për ndalimin e importit të vajit të palmës, sipas qumështarëve, po konsiderohet i mangët, pasi ai nuk parasheh kohën sa mund të qëndrojnë në tregje produktet me këtë përmbajtje, duke iu krijuar mundësi, siç thuhet, matrapazëve që në emër të zbrazjes së stoqeve të kontrabandojnë vajin e palmës dhe të mbajnë këto produkte në treg pafundësisht. Nga këto shoqata u tha se Qeveria Hoti ka afat deri më 29 shtator të ndërmarrë masa për heqjen e këtyre produkteve nga tregu, duke përkujtuar se vaji i palmës është kancerogjen dhe gjenotoksik dhe një gjë të tillë e ka vërtetuar edhe Agjencia Evropiane e Ushqimit.