Ferdonije Qerkezi dhe Nysrete Kumnova mirëpresin padinë ndaj Dragica Gashiqit

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.

Iniciativëm e komunës e kanë pritur mirë Nysrete Kumnova nga organizata “Thirrjet e Nënave” dhe Ferdonije Qerkezi, e cila në luftën e fundit në Kosovë i ka humbur pesë anëtarë të familjes, burrin dhe katër djemtë.

Kumnova tha për se nëse iniciativa nga Komuna e Gjakovës është serioze atëherë është hap i mirë.

“Po, padia nëse është serioze është hap i mirë. Ajo nuk ka pasur të drejtë të vijë dhe të jetojë në Gjakovë. Tash posa të merret vendimi duhet të merren edhe hapa të tjerë për largimin e saj”.

Padinë nga pushteti komunal në Gjakovë si pozitive e vlerësoi edhe Ferdonije Qerkezi.

“Nëse është ashtu siç po thuhet atëherë qenka mirë. Ajo duhet të largohet që të mos ia shohim fytyren”, tha ajo për klankosova.

Kthimi i Dragica Gashiqit, ka nxitur reagime brenda komunës së Gjakovës, nga organizatat jo-qeveritare, familjarët e dëshmorëve dhe qytetarët e shumtë.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova kishte deklaruar se familjarët e personave të pagjetur nuk e miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.

Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se një mijë civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur.