Ferat Shala

Ferat Shala sqaron se si erdhi deri tek tensionimi i situatës në Kuvendin e Kosovës

Sot në Kuvendin e Kosovës ka qenë një moment i tensionimit të situatës kur deputeti i PDK-së, Ferat Shala, është afruar tek foltorja e Kuvendit për të marrë fjalën derisa aty ka qenë edhe shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Duke parë lëvizjen e deputetit Shala drejt foltores, aty është afruar edhe deputeti i VV-së, Salih Zyba, situatë kjo që ka nxitur reagimin e kryesueses së seancës, Saranda Bogujevci.

Lidhur me atë që ka ndodhur në Kuvend, në FRONTAL të T7 ka qenë i ftuar deputeti Ferat Shala. Ai ka thënë se mazhoranca ia ka mohuar marrjen e fjalës në Kuvend të Kosovës.

“Sot është shkelë rregullorja sepse u mohua fjala e deputetit. Me procedurë dhe rregullore lejohet sipas radhës që deputetët të marrin fjalën. Unë kam qenë i gjashti me radhës pas grupeve parlamentare dhe më është mohuar fjala në tërësi”, ka thënë ai në FRONTAL.

“Kam insistuar disa herë por s’ka ardhë në shprehje që të marrë fjalën”, ka shtuar Shala.

Ai ka thënë se e ka tejkaluar një situatë të tillë, megjithatë potencon se s’ka mundur të qëndrojë pa reaguar, kur edhe pas përmendjes nga ministri i Financave, nuk kanë dashur t’ia japin fjalën për kundërpërgjigje, gjë që thotë se i takon me rregullore.

“Kur ministri del dhe më drejtohet me emër dhe mbiemër dhe më citon, kam të drejtë që të dalë menjëherë që të sqarohem”, ka potencuar deputeti i PDK-së.

“Më është mohuar fjala nga mazhoranca që të mos mund të flasë sot as për raportin as për pretendimet e ministrit”, ka thënë Shala në FRONTAL.