Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me numër 16, Ferat Shala, ka reaguar pas protestës së mbi 2,000 punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të cilët kanë kërkuar paga dinjitoze dhe kushte më të mira pune.

Përmes një postimi, Shala ka kritikuar qeverinë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për heshtje përballë kërkesave të punëtorëve. Sipas tij, punëtorët e KEK-ut nuk po kërkojnë privilegje, por dinjitet dhe drejtësi sociale.

“Ata nuk kërkojnë privilegje, por dinjitet dhe drejtësi,” ka theksuar Shala, duke shtuar se mbështetja për grevën e KEK-ut është mbështetje e drejtpërdrejtë për punëtorin dhe për parimet e drejtësisë sociale.

Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka zotime konkrete për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve në sektorin publik. Sipas Shalës, me Bedri Hamzën kryeministër, pagat në sektorin publik do të rriten për 50 për qind, ndërsa kërkesat e punëtorëve të KEK-ut do të realizohen që në vitin e parë të mandatit të ardhshëm qeverisës të PDK-së.

Ferat Shala është kandidat për deputet nga radhët e PDK-së me numër 16 dhe ka theksuar se çështja e dinjitetit të punëtorëve do të jetë një nga prioritetet kryesore të angazhimit të tij politik.