Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numër 16, Ferat Shala, ka reaguar përmes një postimi publik ndaj një mesazhi përkrahës të marrë nga Dafina Demaku, vajza e njërit prej bashkëluftëtarëve të tij dëshmor.

Në reagimin e tij, Shala shprehet i nderuar nga fjalët e Dafinës, duke theksuar se ato kanë një vlerë të veçantë pasi vijnë nga “bija e njërit ndër bashkëluftëtarët tanë më të mirë”. Ai kujton sakrificën e bashkëluftëtarëve që, sipas tij, “u përjetësuan përgjithmonë në altarin e lirisë”, duke nënvizuar se ata do të mbeten përherë të rinj në kujtesën kolektive.

Duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij personal, Shala thekson se, edhe pse nuk e di nëse mund ta konsiderojë veten të ri, mbështetja dhe fjalët e të rinjve janë një shtysë e fuqishme për angazhimin e tij të mëtejmë politik.

“Fjalët tua dhe mbështetja e shumë të rinjve nuk mund ta mohojë që e përtërijnë vullnetin tim për t’i shërbyer Kosovës”, shkruan Shala, duke e përmbyllur mesazhin me “shumë dashamirësi”.

Postimi vjen në kuadër të fushatës zgjedhore, ku kandidatët po theksojnë lidhjen me brezat e rinj dhe vlerat e dala nga lufta për liri.