Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me numër 16, Ferat Shala, ka reaguar me një mesazh të fuqishëm dhe historik, duke vlerësuar figurat kryesore të luftës çlirimtare të Kosovës.
Në një postim publik, Shala ka theksuar se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, së bashku me shumë burra e gra të Kosovës, nisën një rrugëtim që, sipas tij, e ndryshoi përgjithmonë historinë e vendit.
Ai ka deklaruar se këta prijës dhe bashkëluftëtarë nuk kanë shkelur asnjë ligj përveç atij të Serbisë, duke nënvizuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare.
“Liria ka emër”, ka shkruar Shala, duke e lidhur drejtpërdrejt lirinë e Kosovës me sakrificën dhe veprën e udhëheqësve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.
Mesazhi i tij vjen në kuadër të deklarimeve të vazhdueshme politike në mbështetje të vlerave të luftës dhe figurave kryesore të historisë së re të Kosovës.







