Ferat Shala kërkon përgjegjësi juridike dhe morale nga ZRRE-ja

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike, të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Në aktvendimin e Apelit thuhet se ankesa e ZRRE-së është refuzuar si e pabazuar. I gjithë procesi në gjykatë nisi pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit. Kështu, më 9 prill, gjykata mori vendim për pezullim, por pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës edhe në këtë muaj janë faturuar me çmime të rritura.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë për Demokracia.com se do të insistojnë që javën e ardhshme t’i ftojnë për raportim në komision përfaqësuesit e Zyrës së Rregullatorit për Energji.

“Ne tashmë kemi një situatë të re komplet në sektorin energjetik, pas vendimit të fundit të gjykatës dhe si me thënë, i gjithë procesi bie në pikën fillestare. Ne si Komision Parlamentar, nga java e ardhshme do të insistojmë që të kemi një takim raportues nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë për hapat e mëtutjeshëm dhe veprimet në zbatimin e ligjit dhe vendimit të djykatës”, ka thënë Shala.

Shala, po ashtu, ka bërë të ditur për Demokracia.com se shkarkimin e Bordit të ZRRE-së e kanë të pamundur përmes komisionit, pasi që nuk kanë vota të mjaftueshme, por që do të insistojnë deri në fund për dhënien e përgjegjësisë juridike dhe morale.

“Procedurat janë të njohura me ligj, megjithatë inicimi mund të bëhet edhe nga grupet parlamentare, edhe nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, që mbulon sektorin. Por që, domosdoshmërisht, duhet të kemi vota. Në këtë relacion, ne në komision nuk mund ta kalojmë propozimin tonë pa votat e mazhorancës, praktikisht pa votat e shumicës parlamentare dhe kjo është kryesisht në aspektin edhe moral edhe institucional në dorën e atyre që i kanë zgjedhur, sepse praktikisht ky është bord i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne do të insistojmë që procedurat ligjore të përfillen dhe përgjegjësia juridike dhe morale të zbatohet”, u shpreh Shala për Demokracia.com.

Meqë nuk i kanë votat e mjaftueshme në komision, Shala thotë se shkarkimi i Bordit të ZRRE-së mund të kërkohet edhe përmes deputetëve me mbledhjen e nënshkrimeve.

“Mundet edhe direkt në Kuvend, por mundet edhe përmes komisionit me hy në procedurë, me hy në rend dite. Janë dy rrugë, pra praktikisht rruga që shkon, rruga legale që shkon përmes komisionit, propozohet, hyn në rend dite në Kuvend, por është edhe rruga tjetër që grupet parlamentare kanë drejtë me propozu apo grup deputetësh, pastaj është procedurë tjetër që rregullorja e Kuvendit e rregullon për shkarkim”, sqaroi Shala.

I pyetur nëse do të ftohen për raportim edhe ministrat Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati, Shala ka thënë se këto dy dikastere janë direkt të involvuara në nxjerrjen e tarifave të reja.

“Me të tregu të drejtën, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Financave janë të involvuara direkt, edhe në kuptimin financiar, edhe në kuptimin legal menaxhues, sepse kanë qenë bashkë hartues të procesit të tarifave dhe kanë nxjerrë një raport konsultativ të përbashkët Qeveri-ZRRE. Pra, në këtë relacion, përgjegjësia është e përbashkët dhe do të duhej së paku moralisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik të dilte me një sqarim apo edhe të kërkonte, si me thënë, largimin nga ky pozicion. Sepse, moralisht dhe juridikisht janë përgjegjës”, theksoi Shala për Demokracia.com.

Shkarkim të Bordit të ZRRE-së dhe kompensim të qytetarëve kanë kërkuar të gjitha partitë politike, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e ka kundërshtuar vendimin për ngritjen e tarifave