Gjigandi turk, Fenerbahçe ka vendosur çmimin për të cilin do të pranonte largimin e sulmuesit kosovar, Vedat Muriqi.

Skuadrat e interesuara për 25 vjeçarin; Tottenhami, Atletico Madridi dhe Lazio duhet të përgatitin 50 milionë euro nëse duan ta kenë në skuadër futbollistin nga Prizreni, shkruan gazeta turke fotoMaç, transmeton Ballkani.info.

Muriqi, i cili refuzoi Galatasarayin për të kaluar te rivalët jetësor, Fenerbahçe, po kalon nëpër një formë fantastike në këtë fillim sezoni. Në kampionatin turk, ish anëtari i Rizesporit ka realizuar 2 gola në 3 paraqitje. Përveç kësaj, Muriqi ka shkëlqyer edhe me kombëtaren e Kosovës në kualifikueset për EURO 2020, teksa fundjavën e kaluar shënoi golin e parë në fitoren me përmbysje 2-1 ndaj Republikës së Çekisë. Vedat Muriqi nuk u ndal me kaq, pasi që shkëlqeu edhe në takimin përballë Angilsë, me 2 asiste dhe një gol nga penalltia në humbjen 5-3 kundër “Tre Luanëve”.

Raportohet se në sfidën me Anglinë ka pasur vëzhgues nga Tottenhami, ndërsa pritet që të ketë edhe skautë nga Atletico Madridi në takimin e së hënës që Fenerbahçe e zhvillon ndaj Alanyasporit në kampionatin turk.

Bashkëlojtari i Muriqit te Feneri, Max Kruse (që ka luajtur edhe me Milot Rashicën sezonin e kaluar te Werder Bremeni) ka deklaruar se brenda 3 viteve ish sulmuesi i Lirisë së Prizrenit dhe Teutës së Durrësit do të arrijë nivelin e Robert Lewandowskit. Ndërkaq, përzgjedhësi i Çekisë, Jaroslav Silhavy e cilësoi Muriqin si të pandalshëm.

Viti 2019 ka qenë i Vedat Muriqit, me sulmuesin shtatlartë që ka realizuar 17 gola në 26 paraqitje. Muriqi iu ka shënuar 15 kundërshtarëve të ndryshëm; Akhisar, Antalya, Malatya, Kayseri (2), Başakşehir (2), Konya, Beşiktaş, Ankaragücü, Galatasaray, Alanya, Trabzonspor, Gazişehir, si dhe ndaj Bullgarisë, Çekisë dhe Anglisë.

Muriqi së shpejti do të nënshkruajë kontratë të re me Fenerbahçen, ku pritet të përmirësohen edhe termat financiarë. Muriqi iu bashkua 19 herë kampionëve të Turqisë këtë verë për 3.5 milionë euro nga Rizespori. /Ballkani.info/

loading…