QKUK

Fëmijët s’kanë kushte mësimi në Klinikën e Pediatrisë

Aktualisht janë rreth 30 fëmijë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë, të hospitalizuar e të cilëve nuk iu mundësohet që të vijojnë mësimet si bashkëmoshatarët e tyre.

Ndonëse para 40 viteve kësaj kategorie të fëmijëve i është mundësuar mësimi i lëndëve bazike në hapësirën e spitalit, një gjë e tillë nuk po ndodhë tani, 19 vite mbas luftës.Këtë të drejtë fëmijëve të shtrirë në spital ua garanton Ligji mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm në Kosovë, i cili në nenin 15, parasheh masa të posaçme për arsimin e personave që janë të shtruar në spital, kurse, Klinika e Pediatrisë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të realizuar një aktivitet të tillë.

“15.2 MASHT merr masa të posaçme për arsimimin e personave në burgje ose në institucionet e të burgosurve në moshë të re, si dhe për personat e mbyllur në institucione psikiatrike ose që janë shtruar në spital për një kohë të gjatë”, përcakton ligji. Megjithatë, përgjatë viteve ka pasur tentime për të realizuar një projekt të tillë për fëmijët, gjendja shëndetësore e të cilëve lejon mësimnxënien.Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku ka bërë të ditur për KosovaPress se kjo klinikë ka përgatitur një dhomë për të ofruar një shërbim të tillë qysh në vitin 2002, porse shërben si dhoma e lodrave.

Sipas saj, Klinika e Pediatrisë nuk ofron ndonjë kusht të posaçëm për menaxhimin e fëmijëve me probleme më të gjata shëndetësore.

Telaku thekson se kur gjendja e tyre shëndetësore lejon, për ta procesi mësimor duhet të vazhdojë paralelisht hospitalizimit.Ndonëse mungesa e një hapësire për zhvillimin e mësimit në Klinikën e Pediatrisë është evidente, përfaqësues të institucioneve janë të një mendimi sa i përket kësaj çështjeje. Sipas tyre nuk ka asgjë të keqe që të provohet një gjë e tillë dhe ata fëmijë, gjendja shëndetësore e të cilëve lejon, të përfshihen në lloje të ndryshme të aktiviteteve mësimore.

Sipas Telakut, mësimdhënia në hapësirat e klinikës, gjatë kohës kur fëmijët trajtohen në repartet përkatëse, do të ndikonte tek fëmijët si një lloj rehabilitimi, si një kohë kur ata mund të harrojnë sëmundjen e tyre, dhe të orientohen dhe të merren me atë pjesën që moshatarët e tyre e vijojnë të rregullt.Ndërkaq në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se nuk mund të bëjnë asgjë përderisa nuk pranojnë kërkesa të tilla nga drejtoritë komunale të arsimit.

Sipas tyre, deri më tash nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të kësaj natyre.I pari i kësaj ministrie, Shyqiri Bytyqi ka thënë për KosovaPress se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje në ofrimin e kushteve të barabarta për mësim-nxënie për të gjithë fëmijët.Ndërsa, drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu ka bërë të ditur se në spital nuk ka hapësirë të mjaftueshme dhe të përshtatshme, në të cilat do të mund të zhvillohej mësim për fëmijët e shtrirë aty. Për shkak të kësaj, ai thotë se kanë gjetur një mënyrë tjetër.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se një ekspozim i këtyre fëmijëve ndaj procesit mësimor , atëherë kur gjendja e tyre shëndetësore lejon, vetëm që e rritë vullnetin tek ata për ta luftuar sëmundjen, për aq sa shërimi varet nga vullneti.

Në një prononcim për KosovaPress, Pupovci ka thënë se një gjë të tillë duhet ta rregullojnë ministritë përkatëse.Ish-drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, tha theksuar për KosovaPress se komunat varësisht prej rasteve që i kanë mund të organizohen, duke pasur parasysh numrin e nxënësve që nuk mund të vijojnë mësimin.

Kurse, kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi ka thënë për KosovaPress se kësaj kategorie të fëmijëve do të duhej t’i sigurohej mësimdhënia posaçërisht në lëndët bazë, siç janë gjuha shqipe dhe matematika.