Asamblisti i pavarur, i cili më parë ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fehmi Kupina është propozuar për t’u votuar për kryesues të Kuvendit Komunal në Prishtinë dhe ka nisur edhe procesi i votimit.
Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje ka nisur me tensione.
Fillimisht asamblisti i LDK-së, që është në pushtet në Prishtinë, Ajet Brajshori, kërkoi që seanca të shtyhej për 30 minuta.
Kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit e opozitës.
Pas kësaj regjia e Komunës i ka ndalur mikrofonat për të pamundësuar vazhdimin e punimeve.
Megjithëkëtë përfaqësuesit e opozitës kanë vazhduar të flasin.
Shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka akuzuar partinë në pushtet dhe kryetarin Përparim Rama për tendencë për kapje të Kuvendit Komunal.
Ai ka thënë se Vetëvendosja nuk ka emër për kryesues, mirëpo do ta mbështesin secilin emër që do e propozojë një shumicë.
Kupina është propozuar nga asamblisti i AKR-së Gëzim Mehmeti.







