Federata e Sindikatave të Shëndetësisë paralajmëron protestë masive pas 17 tetorit

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka paralajmëruar se menjëherë pas zgjedhjeve të 17 tetorit do të organizojë një protestë masive, për shkak të mos pagesës së shtesat në pagë sipas Ligjit  me nr. 06/L-007 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në komunikatën e FSSHK thuhet se kanë kaluar tri javë nga protesta publike e përfaqësuesve sindikal të punonjësve të shëndetësisë.

“Protestë në të cilën u shpalosën kërkesat për shtesat në pagë sipas Ligjit me nr. 06/L-007 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 dhe për fillimin e procedurave të plotësimit dhe miratimit  të Ligjit mbi Pagat me theks të veçantë që të futet në parashikimin e buxhetit për vitin 2022 dhe mosrespektimin absolut nga Qeveria, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 07.10.2021 PARALAJMËRON se menjëherë pas datës 17.10.2021 pra, pas procesit zgjedhor komunal do të organizojë PROTESTËN e radhës e cila do të jetë më masovike se ajo e datës 17.09.2021”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

Më tej në komunikatë thuhet se “qytetarët e Republikës së Kosovës duhet ta kenë të qartë se me qasjen aktuale të Qeverisë ndaj punonjësve shëndetësor po bëhet shkatërrimi i sistemit publik shëndetësor, gjë e cila do të sjell ndikimet e veta mbi nevojat direkte të qytetarit të RKS-së”.

“Kërkojmë që kjo Qeveri të reflektojë sepse kuadri shëndetësor-mjek e infermier janë duke u larguar nga sistemi publik dhe nga Republika e Kosovës”, thuhet në komunikatën e FSSHK.