Fondi për të Drejtën Humanitare

FDH: Vetëm 74 persona të dënuar për krimet e luftës në Kosovë

“Gjatë këtij viti, Zyra e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka ngritur 15 aktakuza në drejtim të veprës penale ‘krim i luftës kundër popullatës civile’. Prej 15 aktakuzave të ngritura, tetë prej tyre janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe dhe shtatë aktakuza janë ngritur ndaj shtatë pjesëtarëve të forcave serbe të cilët janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe të cilët ndodhen në paraburgim”, kështu është bërë e ditur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK).

Në tryezën me temën “Perspektiva për drejtësinë për krimet e luftës – 25 vite më pas”, Fondi ka kërkuar bashkëpunim më të madh në mes instancave më të larta shtetërore të Kosovës, teksa theks të veçantë iu dha edhe mungesës së marrëdhënieve me Serbinë.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka theksuar se Kosova është një storie suksesi për gjithë botën me arritjet që ka shënuar, porse ka shtuar se nuk duhet harruar e kaluara e saj.

“Kosova duhet të avancojë edhe më tej, të avancojë në forcimin e drejtësisë dhe të angazhohet për dënimin e të gjithë atyre të krimineleve të luftës që fatkeqësisht shumica ata ende lëvizin lirshëm nëpër Serbi dhe jo vetëm”, tha ai.

Ndërkaq, Christoph Fuchs nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka thënë se implementimi i rekomandimeve do të rrisë performancën dhe do të përforcojë institucionet e përfshira.

“Çdo gjykim i suksesshëm, jo që e sjell të vërtetën në dritë por tregon që krimet e luftës nuk do të harrohen dhe kryesit do të jenë përgjegjës. Implementimi këtyre rekomandimeve pa dyshim që do të rrisë performancën dhe do t’i përforcojë këto institucione të përfshira”, tha Fuch.

Koordinatori i projektit pranë FDHK, Amer Alija, derisa ka prezantuar raportin, ka theksuar se fillimi i gjykimeve në mungesë për krime të luftës në Kosovë shënon një kthesë të re në procedimin e rasteve të krimeve të luftës.

Ai tha se që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare kanë dënuar vetëm 74 persona për krimet e luftës në Kosovë, e në anën tjetër janë vrarë më shumë se 10.000 viktima civile.

“Gjatë vitit 2023 kanë filluar ose në faza të ndryshme janë zhvilluar procedurat penale në 26 lëndë kundër 81 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një pjesëtar të UÇK-së”, tha ai.

Ndërsa, Alija gjatë prezantimit të raportit ka rekomanduar krijimin e  bashkëpunimit afatgjatë mes gjyqësorit të Kosovës dhe gjyqësorit ndërkombëtar dhe rajonal me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe aftësimit sa më profesional në fushën e krimeve të luftës.

Po ashtu një prej rekomandimeve ka qenë edhe që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet t’i përzgjedh edhe katër prokurorë të tjerë në kuadër të Departamentit për Krime të Luftës të PSRK-së, për të cilët që nga viti 2022 është ndarë buxheti nga Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka thënë se kjo gjykatë iu ka dhënë prioritet absolut trajtimit të rasteve të krimeve të luftës në raport me gjitha rastet tjera.

“Gjykata Themelore e Prishtinës, trajtimit të rasteve të krimeve të luftës ju ka dhënë prioritet absolut në raport me gjitha rastet që nga momenti i krijimit të njëjtit. Viteve të fundit është bërë një progres i jashtëzakonshëm, fakti që ka pas një efikasitet në trajtimin e këtyre rasteve, konsideroj se gjitha rastet që janë trajtuar kanë qenë në një afat të arsyeshëm”, tha ajo./ KosovaPress