Nënkampioni i Kosovës, Prishtina e fillon këtë të enjte aventurën në rundin parakualifikues në Ligën e Evropës, teksa në “Fadil Vokrri” do të pret skuadrën nga Gjibraltari, St.Josephs.
Kundërshtari i kryeqytetasve e kishte përfunduar sezonin në pozitën e tretë të kampionatit të Gjibraltarit, derisa Prishtina shihet favorit për këtë takim, raporton Ballkani.info.
Por, ajo që ka ngjallur revoltën e tifozëve bardhë e kaltër kanë qenë çmimet e larta të biletave për përballjen me St.Josephs, që në përbërje ka lojtarë me profesione të ndryshme si kamarier, furrtar e kasap.
Çmimi i biletave i fiksuar nga FC Prishtina fillojnë prej 3 eurove për tribunën veriore, 5 për atë lindore, 8 euro kushton bileta për tribunën perëndimore, ndërsa për të përcjellur ndeshjen nga tribuna VIP duhen 15 euro.
Në anën tjetër, Skendërbeu, skuadra që ka dominuar vitet e fundit futbollin shqiptar dhe që siguroi dy herë kualifikimin për në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, kishte vendosur çmime të arsyeshme në tribunat kryesore (2000 lekë/16 euro). Kujtojmë që klubi nga Korça në grupet e Evropa Ligës ishte përballur me gjigandë evropianë dhe klube të rëndësishme si; Beshiktashi, Sporting Lisbona, Dynamo Kiev, Lokomotiva e Moskës etj.
Sezonin e kaluar skuadra tjetër shqiptare, Shkëndija shkoi deri në turin e parafundit kualifikues në grupet e Ligës së Kampionëve, teksa gjatë kësaj aventure u takua me kundështarë si; TNS, Sheriff Tiraspol dhe Salzburg. Çmimet për ndeshjen me skuadrën e rëndësishme moldave dhe klubit më të madh austriak varionin nga 200 deri 600 denarë apo 3 deri 9 euro. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Shkëndija rrugën e saj e vazhdoi në Ligën e Evropës atje ku shorti e vuri përballë klubit më të madh norvegjez, Rosenborgun. Biletat për ndeshjen e fundit kualifikuese para fazes së grupeve kushtonin nga 100 deri 300 denarë apo 1.63 euro deri 4.88 euro.
Edhe përfaqësuesi tjetër kosovar, Feronikeli, që sonte starton kompeticionin para kualifikues në Ligën e Kampionëve, ka pasur çmime më të ulëta të biletave përkundër që niveli i garës është më i lartë. 5 euro do të kushtojnë biletat për tribunat lindore dhe perëndimore, kurse kategoria VIP 15 euro.
Në rast se Prishtina kalon kundërshtarin nga Gjibraltari, në rundin e parë kualifikues do të ketë punë me gjigandin skocez, Rangers. Mbetet të shihet se me çfarë çmimi të biletave do të pritet në Prishtinë skuadra që drejtohet nga legjenda e Liverpoolit dhe Anglisë, Steven Gerrard. /Ballkani.info







