FBK me telegram ngushëllimi për vdekjen e Belul Beqajt: Veprat e tij kanë hyrë në histori të basketbollit kosovar

Sot në mëngjes në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë Belul Beqaj. Vdekja e tij ka tronditur basketbollin e Kosovës.

Ai ishte kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës nga paslufta e deri në vitin 2006, duke dhënë kontribut të madh në basketbollin e Kosovës.

Belul Beqaj lindi në Prizren më 1957, ku i kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Ka diplomuar, magjistruar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, përkatësisht në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka doktoruar në fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit publik të Maqedonisë.

Është autor i dhjetëra punimeve publicistike -shkencore, pjesëmarrës në konferenca të shumta brenda dhe jashtë Kosovës. Bartës dhe bashkëpunëtor i shumë projekteve hulumtuese në Kosovë dhe jashtë.

Federata e Basketbollit të Kosovës në krye me kryetarin Arben Fetahu kanë lëshuar një telegram ngushëllimi për familjen e tij.Reklama

Telegram ngushëllimi nga FBK:

E nderuara familja Beqaj dhe komuniteti i basketbollit,

Sot në mëngjes jemi zgjuar të shokuar kur kemi dëgjuar lajmin tronditës se ka ndërruar jetë, i nderuari dhe i respektuari, Belul Beqaj.

Vdekja e tij ka tronditur gjithë komunitetin e basketbollit.

Ai do të kujtohet jo vetëm si ish kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, por edhe një person që ka hyrë në histori për tu mos harruar asnjëherë.

Kontributi i tij për sportin më të dashur ishte para dhe pasluftës. Në kohë të vështira dhe me shumë sfida. Veprat e tij kanë hyrë në histori.

Beqaj ishte një person shumë i afërt me bashkëpunëtorët, me vizion të qartë dhe largpamës. Ndihma e tij që ka dhënë në basketbollin e Kosovës nuk do të harrohet asnjëherë.Reklama

Në emrin tim personal dhe të Federatës së Basketbollit të Kosovës, dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Beqaj dhe gjithë komunitetin e basketbollit.

Me Respekt,

Arben Fetahu

Kryetar i FBK-së