Ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Faik Fazliu, ka reaguar pasi sot në Kuvendin e Kosovës kaloi Projektligji për Paga në lexim të parë, i cili nuk përfshinte kategorinë e veteranëve të luftës.
Përmes një statusi në Facebook, Fazliu ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje e cila së bashku me Listën Serbe, kaluan në lexim të parë Projektligjin për Paga, i cili nxiti shumë reagime pasi nuk përfshinte kategorinë e veteranëvë të luftës së UÇK-së, shkruan lajmi.net.
“Këtë javë kur po shënohen ditët e çlirimit të qyteteve të ndryshme të vendit, mashtruesit së bashku me Listën Serbe edhe ligjërisht filluar diskriminimin e veteranëve të luftës. Turpi ju mbuloftë”, ka shkruar Fazliu në Facebook.
Kujtojmë se për votimin në lexim të parë të Projektligjit për Paga, kanë reaguar edhe nga opozita të cilët kanë akuzuar Vetëvendosjen për bashkëpunim me Listën Serbe në mënyrë që të diskriminojnë kategorinë e veteranëve.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tashmë ka bërë të ditur se do të protestojnë të enjten. Gjatë muajve të fundit, kjo kategori ka kërkuar përfshirje në Ligjin për Paga në mënyrë që pensionet e veteranëve të jenë të njëjta me pagën minimale. Kjo do të nënkuptonte ngritjen e pensioneve të veteranëve nga 170 euro në 264 euro.







