Ymer Fejzullahu

Faturimi për rrymën në veri, qytetarët pritet të kompensohen rreth 70 euro

Rreth 70 euro do të jetë shuma me të cilën do të kompensohen qytetarët që janë faturuar për rrymën në veri. Plani i Zyrës së Rregullatorit për Energji, është që këto mjete t’u kthehen brenda gjashtë vjetëve, apo rreth 1 euro në muaj. Shuma totale që duhet kompensuar është rreth 40 milionë euro, e sipas një përllogaritje pritet të kompensohen mbi 550 mijë qytetarë.

Zyra e Rregullatorit për Energji duket se e ka gjetur mënyrën se si t’i kompensojë qytetarët për faturimin që u është bërë për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore, nga shkurti i vitit 2012 deri në tetor të vitit 2017.

Ideja është zbuluar mbrëmë nga Kryetari i Bordit të ZRRE’së, Ymer Fejzullahu, i cili ka thënë se këto mjete do të kthehen brenda një periudhe 6-vjeçare, nga rreth 1 euro për muaj, ashtu që këta qytetarë do të paguajnë nga 1 euro më pak në faturat e rrymës për gjashtë vjet.

Sipas një përllogaritje bazuar në shumën e kompensimit për secilin muaj dhe periudhës përgjatë së cilës parashihet të kryhet kompensimi, i bie që vlera që do të kompensohen qytetarët është nga 72 euro. Nga kompensimi pritet të përfitojnë mbi 550 mijë konsumatorë.

“Ata konsumatorë që kanë paguar në atë periudhë, vetëm ata konsumatorë do përfitojnë nga Gjykata Kushtetuese, duke mos përfshirë konsumatorët që janë konsumatorë të rinj pas vitit 2017. Te konsumatorët shtëpiakë mund të jetë më pak se 1 euro nëse e shtrijmë këtë borxh për periudhën në të cilën është grumbulluar rreth 6 vjet. Për konsumatorë shtëpiakë është më pak se 1 euro në muaj. Ai borxh është grumbulluar për periudhë 6-vjeçare”, ka thënë Fejzullahu në KTV.

Këtë mënyrë, Fejzullahu e ka arsyetuar me mungesën e buxhetit që qytetarët të rimburësohen menjëherë në total.

Të drejtën për të kërkuar kompensim qytetarëve për faturimin ndër vite, qytetarëve ua ka dhënë Gjykata Supreme. Aktgjykimi i Supremes është vërtetuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.

ZRRE’ja kishte kërkuar nga Kushtetuesja sqarime se si duhet të veprohet në këtë rast, meqë në Aktgjykim vetëm kërkohet nga ZRRE që të ndërmerr veprime për ta obliguar Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes që të bëj kthimin e shumës së faturuar, por nuk specifikohet forma e mënyra.

Sipas Aktgjykimit të Supreme, qytetarët kanë të drejtë për kthimin e këtyre mjeteve. Pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në këto komuna me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, Supremja i kishte konsideruar si të paqëndrueshme.

“Prandaj, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut. Andaj bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, kishte njoftuar Supremja.

Ndryshe, rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, e kanë paguar qytetarët e pjesëve të tjera të vendit, për 18 vjet me radhë.

Për t’i shlyer këto borxhe, qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kanë paguar fatura për 3.5 përqind më të shtrenjta.

Nga viti 2017 e këndej, për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kaluar përgjegjësinë e pagesës te institucionet e vendit. Po atë vit, Gjykata e Apelit ka kërkuar që konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar në veri për 18 vjet, të kompensohen.

Në një postim të bërë në shkurt të vitit të kaluar, Kryeministri Albin Kurti, kishte thënë se se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.

“Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, kishte shkruar Kurti.