Fatos Beqiraj shpreson se do ta udhëheqë Malin e Zi drejt fitores së parë kundër Kosovës

Sulmuesi me prejardhje nga Peja i Malit të Zi, Fatos Beqiraj, shpreson se do të mundë t’i ndihmojë kombëtares malazeze ta arrijë fitoren e parë në Grupin A kualifikues për Euro 2020 pikërisht kundër atdheut të tij.

Mali i Zi e viziton të hënën Prishtinë për t’u përballur me Kosovën në ndeshjen e rrethit të shtatë kualifikues pa shijuar ende asnjë fitore në këtë kampanjë dhe Beqiraj është i etur t’i ndikojë ekipit të tij kombëtar ta ndryshojë këtë tamam në vendin prej nga e ka prejardhjen.

Kombëtarja malazeze u mposht nga Anglia 5:1, dy herë nga Republika e Çekisë me rezultat të njëjtë 3:0 dhe barazoi Kosovën dhe me Bullgarinë në Podgoricë dhe tani do t’i ketë vetëm edhe dy raste për ta kërkuar fitoren: ndaj dardanëve dhe anglezëve.

“Shpresoj se do të ndryshojë nga ndeshja me Kosovë”, ka thënë Beqiraj për mediat malazeze.

Ai thotë se për të, ndeshja me Kosovën do të jetë si çdo ndeshje tjetër. I lindur dhe i rritur në Pejë, Beqiraj thotë se prejardhja e tij nuk do të ndikojë në fushë e as në synimet e tij për të fituar me Malin e Zi.

“Këtë ndeshje e shoh vetëm nga ana sportive. Nëse më jepet rasti do ta jap maksimumin si gjithmonë. Unë vetëm po mendoj sesi do të luajmë”, theksoi ai.

loading…