Borut Pahor

“Fatkeqësisht ka ngecur”, zëdhënësja e Pahor konfirmon përgatitjen e projekt-planit për vazhdimësinë e dialogut

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kandidat për i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është duke përgatitur një draft për vazhdimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë zëdhënësja e Borut Pahorit, Spela Vovk.

“Në kontekstin e kandidaturës së tij për i dërguar special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Borut Pahor është duke punuar në përgatitjen e një projekt-plani për zbatimin e mëtejshëm të suksesshëm të dialogut, i cili fatkeqësisht ka ngecur”, tha Vovk për Vijestin.

Ajo theksoi se Pahor, para se të përfundojë draftin, dëshiron të konsultohet me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, anëtarë të BE-së dhe përfaqësues të shteteve QUINT-it.

Me mbështetjen e kryeministrit Robert Golob dhe shefes së diplomacisë Tanja Fajon, Borut Pahor është kandidati i Sllovenisë për i dërguar special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ka disa të dërguar specialë të BE-së, dhe ata punojnë në zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, që aktualisht është politikani spanjoll Josep Borej.

Funksionin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës e mban aktualisht diplomati sllovak Miroslav Lajçak, i cili këtë vit po largohet për postin e ri të ambasadorit të BE-së në Zvicër.

Të dërguarit specialë emërohen nga shtetet anëtare me propozimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme. Kjo është arsyeja pse Pahor ka nevojë për mbështetjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe mbështetjen e shteteve anëtare. Siç është paralajmëruar tashmë, Pahor duhet të ketë mbështetjen e Borelit.

Më 18 dhe 19 prill, në Lubjanë, Borut Pahor organizoi konferencën e parë “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku mori pjesë Miroslav Lajçak, i dërguari aktual i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në konferencë morën pjesë ish-presidentët e Bullgarisë, Austrisë dhe Serbisë, si dhe Filip Vujanoviç, ish-presidenti i Malit të Zi, si dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë që mbështesin zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

“Unë do të doja të shihja një angazhim zyrtar si nga BE-ja ashtu edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor se ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të përmbushur këtë qëllim,” shtoi ai.

Në takimin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” nga Mali i Zi, përveç Vujanoviqit, morën pjesë edhe Milica Pejanoviq Gjurishiq dhe Igor Lukshiq.