Fati i Zëvendësministrit që do t’i kthehet profesionit të historianit

Izmi Zeka për gati dy vjet është marrë me çështje të sigurisë. Tash kur vendi po shkon drejt zgjedhjeve, Zeka po mendon t’i kthehet profesionit prej mësimdhënësit të historisë. Thotë se jeta e tij s’është veç politikë.

Gjilanasi Izmi Zeka po del të mos jetë mërzitur shumë pse është rrëzuar Qeveria pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje.

Zëvendësministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme thotë se s’është fundi i botës pse po i përfundon mandati në Qeveri.

E ka gjetur zgjidhjen se me çka do të merret pasi të kthehet në vendlindje.

“Unë jetën nuk e kam të gjithë politikë”, ka thënë Zeka, tri ditë pasi Shefi në Qeveri i dha dorëheqje.

“Me profesion jam historian e varet prej rrethanave se si do të vijnë. Unë lirshëm mund t’i kthehem profesionit të historianit dhe asgjë nuk përfundon këtu. Zanati më i ndjeshëm për mua është vetë profesioni im”, tha Zeka që është zyrtar i PDK-së.

Qeveria e Ramush Haradinaj do të mbahet mend edhe për numrin rekord të zëvendësministrave. Askush s’e ka ditur saktë sa janë emëruar, por, janë përmendur më shumë se 80.

Sidoqoftë, Izmi Zeka ka treguar se ka pranuar të jetë pjesë e Qeverisë për faktin se i ka kontribuuar interesit shtetëror.

“Para se me u marr me politikë unë kam punuar 20 vjet në arsim, dhe kjo çështje nuk ka qenë pengesë që të punoj për interesin shtetëror, qoftë edhe si mësimdhënës e mendoj që do jem një mësues i mirë e të edukojë gjenerata. Asgjë nuk përfundon këtu, me rëndësi shteti i Kosovës të ecë përpara.” tha Zeka.

Zeka për Express, tregoi se arritjet e tij më të mëdha gjatë kohës sa shërbeu në qeverinë Haradinaj, janë “çështja e rregullimit të dokumenteve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ligji për Ministrinë e Brendshme dhe ligji për pensionimin e hershëm të zyrtarëve policorë”.

Në fund, ai tha se “fundja edhe nëse i kthehem profesionit të historianit nuk bëhet asgjë. Me rëndësi shteti, e aspektet personale janë të parëndësishme për mua”.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të premten dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR.

Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte.

Kohëve të fundit, lideri i AAK-së prishi raportet me Liderin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.

Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ish-Komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.

Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.

loading…