Imer Qaka, familjari i njërit prej të arrestuarve për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, është lutur për lirimin e të dyshuarve.
Ai është familjar i Vatan Qakës, të riut që u arrestua bashkë me gjashtë të tjerë për planifikimin, organizimin dhe ekzekutimin e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, natën e 1 prillit në Kaçanik.
Imer Qaka, sikurse Vatan Qaka dhe gjashtë të arrestuarit e tjerë dyshohet se janë pjesëtarë të “Rinia Islame – Kaçanik”, një shoqatë me prirje të radikalizmit fetar. Sipas një shkrimi të Gazetës Express, nga viti 2012 deri më 2015 këtë shoqatë e kishte drejtuar terroristi Lavdrim Muhaxheri.

Vatan Qaka, njëri nga të arrestuarit për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika/ Foto: Facebook
Në një publikim në rrjetin social TikTok të martën në mesditë, familjari i të arrestuarit Vatan Qaka ka bërë thirrje për lirimin e të dyshuarve.
“Allahu i liroftë vllaznitë tonë, mos i harroni në duat tuaja”, shkruan Imer Qaka në mbishkrimin e një video të publikuar në TikTok. Video tregon pamje nga jashtë të një xhamie.

Postimi në platformën TikTok i Imer Qakës, familjarit të Vatan Qakës/ Foto: TikTok
Shtatë persona u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e rreshterit Muhamed Lika, në një operacion policor në Kaçanik të hënën.
Prokuroria po i heton shtatë personat nën dyshimin për kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha të hënën se disa nga të arrestuarit kanë të precedent penalë në raste me prirje të ekstremizmit fetarë, si dhe disa prej tyre kanë qenë të arrestuar për rastin e djegies së Gjykatës në Kaçanik.
Por, Hoxha tha se organet e rendit dhe të drejtësisë, në fazën aktuale të hetimeve, nuk kanë gjetur elemente që e lidhin vrasjen e rreshterit policor me ekstremizmin fetar dhe terrorizmin.
Në konferencën për media në objektin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të hënën, në të cilën iu adresuan mediave drejtori Hoxha dhe Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, të dy thanë se motivi i vrasjes së rreshterit Lika dyshohet se ndërlidhet me punën e rreshterit Lika.
“Deri më tani është pak herët të flasim për motivin, por sipas asaj që e kemi deri më tani, motivi ndërlidhet me punën e tij si zyrtar i Policisë së Kosovës”, tha Çerkini, raporton Paparaci.
Drejtori i Policisë tha se ky motiv mbetet për t’u vërtetuar pas ekzaminimit të dëshmive të sekuestruara.
“Dyshimet e tona të deritashme janë që vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur si pasojë e detyrës së tij zyrtare. Mirëpo, motivi do të qartësohet pas intervistimit të personave të dyshuar dhe po ashtu pas ekzaminimit të dëshmive të cilat janë sekuestruar. Mbetet për t’u vërtetuar, por dyshimet janë se vrasja ka ndodhur për shkak të kryerjes së detyrave të tij zyrtare”, tha Hoxha.
Të martën, figura publike, përfshirë avokatë dhe gazetarë, kërkuan nga Prokuroria e Shtetit që të rishikohet kualifikimi i veprës penale ndaj të dyshuarve, e cila në këtë fazë është cilësuar si “vrasje e rëndë” në bashkëkryerje.
Kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari tha se është i alarmuar nga rasti në Kaçanik. Ai i bëri thirrje organeve të hetuesisë dhe të drejtësisë që të hetojnë nëse në këtë rast ka elemente të ekstremizmit fetar dhe terrorizmit.






