Familjarët e viktimave të Covidit në Itali padisin kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë, kjo është arsyeja

Familjarët e viktimave të koronavirusit në Itali do të ndërmarrin veprime ligjore kundër kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë dhe presidentit të rajonit të Lombardisë, të cilët i akuzojnë për neglizhencë kriminale në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Grupi prej 500 familjesh do ta dorëzojë padinë të mërkurën në provincën që është goditur rëndë nga pandemia në valën e parë. Këta familjarë pretendojnë se kryeministri Giuseppe Conte, ministri Roberto Speranza dhe kryetari i Lombardisë, Attilio Fontana, kanë kontribuar në vdekjen e gati 70.000 personave nga sëmundja Covid-19.

Padia është më tepër e përqendruar në vendimin e autoriteteve për rihapjen e një spitali në qytezën Alzano disa orë pas përhapjes së koronavirusit më 23 shkurt dhe dështimin e mëpasshëm të autoriteteve që ta vendosnin menjëherë në karantinë qytezën dhe një qytezë tjetër, Nembro, pavarësisht këshillave të shkencëtarëve në fillim të marsit.

Një element i rëndësishëm i kësaj padie është edhe mungesa e planit të përditësuar kombëtar kundër pandemive, ndërsa përmendet edhe dështimi i autoriteteve rajonale për zbatimin e një plani lokal që do të duhej të ishte zhvilluar duke u mbështetur në planin kombëtar, shkruan The Guardian.

Consuelo Loacti, avokati që po e udhëheq këtë rast, do të kërkojë dëmshpërblim prej 259.000 eurosh për secilën prej 500 familjeve që janë pjesë e padisë së paraqitur.

Ndryshe, Italia ishte vendi i parë evropian që u godit rëndë nga pandemia dhe është në mesin e shteteve me numrin më të lartë të viktimave dhe personave të infektuar në Evropë.