Familjarët dalin t’i presin bashkatdhetarët e aksidentuar në Kroaci

Tashmë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë kanë arritur familjarët e bashkatdhetarëve të cilët gjendeshin në autobusin e aksidentuar në Kroaci.

Në aeroport kanë mbërritur dhe tri ambulanca. Sonte pritet që të sillen në Kosovë disa nga udhëtarët që gjendeshin në autobusin e kompanisë “Deva Tours”.

Aksidenti tragjik ndodhi mëngjesin e së dielës ku 10 persona mbetën të vdekur dhe mbi 40 të tjerë u lënduan.

Gjatë ditës së sotme ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se pas orës 22:00 në Aeroportin e Prishtinës do të arrijnë edhe shumë prej të lënduarve të cilët deri më sot janë trajtuar në kuadër të spitalit të Kroacisë në Brod.

Viktimat nga ky rast tragjik ishin nga disa komuna të Kosovës si: Podujevë, Rahovec, Gjakovë, Junik e disa të tjera.