Familja publikon pamjet kur marrin trupin e pajetë të Fehmi Aganit (VIDEO)

Më 8 maj të vitit 1999, trupi i pajetë i Fehmi Aganit iu dorëzua familjarëve.

Familjarë të Aganit, kanë publikuar një video të 20 vjetëve më parë, në kohën kur u kumtua vdekja e Aganit, ku shihet edhe bartja e trupit të pajetë të atij që konsiderohet truri i lëvizjes paqësore të Kosovës, i vrarë nga forcat serbe.

Shpend Agani, djali i Fehmi Aganit dhe Edita Tahiri, Ministre e Punëve të Jashtme në ekzil, folën para mediave për këtë rast tragjik.

“Është e vështirë për mua të njoftoj për këtë lajm të dhimbshëm, për vrasjen e liderit kosovar, intelektualit e mendimtarit të madh, profesorit e akademikut Fehmi Agani, nga forcat paramilitare serbe”, kishte thënë Tahiri.

Ndërkaq, djali i tij Shpendi, tregoi për momentin kur e kishin arrestuar dhe kur kuptuan se ai është vrarë.

“Dje morën mesazhin se ai është arrestuar nga forcat policore serbe. Pas kësaj, vetëm shpresonim se gjithçka do të shkojë mirë. Sot në mëngjes, pasi diskutuam me shumë familjarë të ndryshëm të cilët jetojnë ende në Prishtinë, kuptuam që është vrarë nga policia serbe”, kishte deklaruar Shpend Agani.

Në këtë video shfaqet edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova i cili flet për vdekjen e Aganit.