Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Lipjan ka mirëpritur sot familjen e gjerë Pacolli nga fshati Smallushë si anëtarë të rinj të saj. Kryetari i degës së PDK-së dhe kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka bërë të ditur se Nehat Pacolli, një ndërmarrës i suksesshëm dhe mbështetës tradicional i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), së bashku me familjen e tij ka vendosur t’i bashkohet vizionit të PDK-së.

Buja e ka vlerësuar këtë si një hap të madh dhe një dëshmi të qartë të rritjes së mbështetjes për partinë që ai udhëheq.

“Ky është një hap i madh dhe një dëshmi e qartë se rruga e fitores është vetëm tek PDK-ja. Faleminderit për besimin dhe mbështetjen e fuqishme nga familja e madhe Pacolli! Mirësevini, e na priftë e mbara!” – ka deklaruar Buja.

Ky zhvillim shihet si një sinjal i rëndësishëm për përforcimin e strukturave të PDK-së në Lipjan, ndërsa fushata zgjedhore po afrohet.