Familja kosovare përgënjeshtron pronaren e shtëpisë në Sarandë: I lamë 5 euro më shumë se pagesa

Një denoncim i një pronareje të një shtëpie në Sarandë u bë viral mbrëmjen e sotme.

Ajo në mediat e Shqipërisë denoncoi një familje Kosovare, e cila sipas saj i ka ikur pa paguar shtëpinë e marrë me qira për qëndrim atje.

Madje ajo tha se krejt këtë veprim, familja nga Kosova e ka bërë në orën 04:00 të natës.

“Qytetarja shkruan: Prsh JOQ! Doja të ndaja një problem me juve Dje ne mbasditë ne qytetin e Sarandës një familje me pushues kosovare kërkonin shtëpi me qera dhe ju dhashë shtëpinë. Çdo gjë ishte ne rregull u pëlqeu dhe u futen brenda. Dhe e kaluan natën aty. Por sot ne mëngjes ishin larguar pa njoftuar dhe pa paguar rreth orës 04:00 te mëngjesit te sotëm. Çelësat i kishin lënë brenda dhe dera ishte e hapur. Kjo është familja dhe makina e tyre është ajo me targa te huaja. Janë momentet e ardhjes dhe ikjes. Me vjen inat për gjestin qe bërën dhe as çelësat nuk me sollën”, ka njoftuar qytetarja për JOQ Albania

Mirëpo krejt këto pretendime të pronares në fjalë i kanë demantuar familjarët.

Ata në një mesazh dërguar në lajmi.net, kanë thënë se marrëveshja paraprake me pronarin ishte që të qëndronin për 7 netë, mirëpo për shkak se atyre u ndodhi një rast, ata u desh të iknin shumë më herët.

Por, ata thonë se nata ishte 45 euro, dhe pronarit të shtëpisë i janë lënë 50 euro, pra 5 euro më shumë.

“Për familjen time në Sarandë. Veç po du me ju tregu që kjo nuk është e vërtetë. E bonëm Pazar për 7 ditë, 45 euro natën. Por na ndodhi një rast dhe nuk patëm mundësi me nejt ma, për shkak që na erdh keq ja lamë 50 euro në kuzhinë, me qelsa, dmth 5 euro më shumë”, kanë thënë nga familja për lajmi.net.

Ata tutje kanë thënë se ata e kanë ditur se ka edhe kamera dhe krejt kjo ka ndodhur rregullisht, pasi që nata të cilën ata qëndruan, është paguar.

Familja thonë se mundësi pse pronarja veproi në këtë mënyrë, është se ndoshta është nervozuar pse ata nuk qëndruan për 7 net.

“Na e kena ditë që ka kamera se vet ka tregu ai për siguri të makinës. Nuk e di pse, ndoshta i ka ardhë merzi që nuk kem nejt 7 ditë qysh e kemi ba pazar edhe për qata ja ka ba. Nuk pata as numer as nuk mujsha me gjet atë gazden, ai mundet me kqyr në kamera 30 min e kom lyp mos po ja gjaj shpinë”, kanë thënë tutje ata.

“Të martën natën e kena ba Pazar, të mërkurën para sabahit jem dalë”, kanë thënë në fund nga familja, nën kushte anonimiteti.

Ata thanë se për këtë rast kanë lajmëruar edhe policinë.