Familja Haradinaj nga Vushtrria që nga viti 1945 e ruan varrin e një ushtari gjerman

Që nga përfundimi i luftës së dytë botërore, familja Haradinaj nga fshati Stanovc i Vushtrrisë e ka mbajtur të fshehur varrin e një ushtari gjerman në arat e tyre.

Familja Haradianaj kanë thënë se nga frika e hakmarrjes nga shteti i Serbisë historia është mbajtur e fshehur dhe është ruajtur vetëm në familjen e ngushtë.

Ata e ftojnë shtetin gjerman që ta vizitojë këtë varr dhe janë të hapur për çfarëdo nisme për rregullimin e varrit të ushtarit gjerman dhe shënjimin e vendit ku prehet për më shumë se 75 vjet.

“Tash erdhëm te arat e gjermanëve, kjo është ara e gjermanit”, kjo është fjalia që zakonisht i prinë rrugëtimit të vëllezërve Baki e Dritan Haradinaj për tek arat e tyre,. “Ara e gjermanit” për dy vëllezërit Bakiun dhe Dritanin në vegjëli ka qenë pikë referimi e mister në të njëjtën kohë. Në këtë vend, që nga përfundimi i luftës së dytë botërore qëndrojnë eshtrat e një ushtari gjerman. Ushtarin e panjohur për ta, Bakiu thotë se me shumë sakrifica e kanë varrosur paraardhësit e tij.

“Historia e këtij varri është se këtu është vra gjermani dhe varrimi i tij është bërë vetëm natën, sepse nuk kanë guxuar me e varrosë ditën për shkak i çështjes (pushtimit) së Serbisë. Flitet që katragjyshin e kanë vrarë për shkakun se e kanë varrosur natën gjermanin. Flitet se para shtëpisë është i vrarë ose më mirë të them i pushkatuar”, ka treguar me shumë krenari Bakiu.

I lidhur emocionalisht me historinë e ushtarit gjerman, ai shprehet i hapur për çfarëdo nisme të shteti gjerman.

“Kam menduar që me e ndreq këtu varrin me e pastru me i heq “therrat” edhe me ja ngjit emrin këtu rrugës “Rruga e gjermanit” edhe ara tash e 100 vjet thirret si “Ara e gjermanit…Ne vulletin e kemi me e ndreq me rretheku me e rujt historinë edhe me u dit se ku është varri i tij”, ka thënë porosit Baki Haradinaj.

Gjermanët të cilët merren me historitë të cilat i tregon Bakiu brenda muajit shator do të vijnë në Kosovë. Kështu thuhet në një njoftim për media nga Ambasada Gjermane në Kosovë. Puna e organizatës “Lidhje kombëtare për ruajtjen e varreve të luftës” (VOLKSBUND) nuk do të ishte e mundur pa një marrëveshje me Kosovën.

Më 10 gusht Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshjen përfundimtare sa i përket kësaj çështje, me të cilën Gjermanisë i lejohet përkujdesja për varret e ushtarëve të saj, zhvarrosja për t’i dërguar në një vend të përbashkët. Gjithashtu, me të lejohet ndërtimi e përmendoreve në vendet ku zhvarrosja është e pamundur. 77 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore sipas “Volksbund” në Kosovë ka njoftime për rreth 900 vendvarrime të ushtarëve gjermanë, shumica prej tyre ende të paidentifikuara./RTV Dukagjini/