Dokument

Familja e gylenistit të dëbuar ka 11 pyetje të sikletshme për shefen e IPK’së

Komisioni Hetimor parlamentar për Gylenistët ka nisur mbledhjen ku do të shqyrtohet materiali i dërguar nga institucionet për gylenistët dhe për pak nis intervistomi i kryeshefes së Inspektoratit Policor, Miradije Kelmendi, për çështjen e gylenistëve.

Gazeta Express ka siguruar dokumentin me pyetjet që do t’i parashtrohen shefes së Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, nga avokati i familjes së Jusuf Karabinës (shtetasi turk i depotuar në Turqi), Urim Vokshi.

Këto janë pyetjet që do t’i parashtrohen Kryeshefes së Inspektoriatit Policor, Miradije Kelmendi, dokument i siguruar nga Express:

Kryeshefja do të pyetet se cilët zyrtarë policorë kanë marrë pjesë në arrestimet që kanë ndodhur para 6 muajve në Lipjan, Gjakovë dhe Prishtinë, ditën që u arrestuan gjashtë gylenistët kështu për t’u deportuar më pas për në Turqi.
Kush kanë qenë zyrtarët policorë të angazhuar në këtë aksion në Aeroportin e Prishtinës?

Në bazë të çfarë vendimi kanë vepruar zyrtarët policorë gjatë arrestimit dhe dërgimit në aeroportin e Prishtinës? – Vendimi për urdhërlargimin e shtetasve turq nuk përmban asnjë shënim lidhur me vendin se ku duhet të dërgohen shtetasit turq, në bazë të cilit vendim kanë vendosur që të i dërgojnë në Aeroportin E Prishtinës pas arrestimit? Ligji për të Huajt në nenin 97, par.8 ka paraparë se urdhri për largim me forcë duhet të përmbajë datën dhe vendin ku do të ekzekutohet dhe mënyrën e transportit të të huajit për në vendin e destinacionit. Urdhri për largim me forcë nuk përmban këto informacione, çfarë veprime keni ndërmarrë ndaj zyrtarit që ka nxjerr një vendim të tillë të mangët dhe zyrtarëve që kanë zbatuar një vendim të tillë të mangët?

Pse nuk u është lejuar kontaktimi me familjarët dhe avokatët e tyre (shtetasve turq) pas arrestimit, përderisa Kushtetuta e Kosovës në nenin 29 të saj, ka të paraparë se personit që i privohet liria ta njoftojë avokatin e vet, ose familjarët. Çfarë masa kani ndërmarrë ndaj zyrtarëve policorë për këtë shkelje ligjore?

Kryeshefja gjithashtu do të pyetet nga Komisioni Hetimor parlamentar se si ka mundësi që është përdorur dhunë ndaj fëmiut të mitur të Jusuf Karabinës, siç është vërejtur nga incizimet e publikuara në media, në momentin e arrestimit të Karabinës. Çfarë masa keni ndërmarrë ndaj zyrtarëve policorë për këtë shkelje ligjore?

Pse persona e arrestuar janë dorëzuar të autoritetet turke në Aeroportin e Prishtinës përderisa udhëzimi administrativ për kthimin e shtetasve të huaj me qëndrim të paligjshëm, ka paraparë në nenin 37 të saj se “DSHAM’i administron një shërbim në aeroport, i cili ka për detyrë “…rezervimin e biletave të avionit dhe përcaktimin e itinerarit; dhënien e ndihmës personave për kthim si dhe medikamenteve apo një shume të vogël të parave të xhepit”. Pra udhëzimi administrativ përkatës ka paraparë se DSHAM ka obligim të blejë biletat për largim të huajve të cilët largohen me forcë dhe që të njëjtit të dorëzohen tek autoritetet e një shteti tjetër sepse nuk kemi të bëjmë me ekstradim?

Si ka mundësi që Hasan Gunakan është identifikuar gabimisht dhe është dërguar për në shtetin turk përderisa nuk ka vendim ndaj tij për largim? Vendimi për urdhërlargim ekziston për Hasan Huseyin Demir i cili është rreth 10 vite më i ri në moshë se Gunakan, i cili është identifikuar gabimisht, ndërsa vula e aeroportit është vendosur në vendimin e Demir, përkundër se në vendim shkruan se vendimi nuk shërben si mjet identifikimi?

Personi i identifikuar gabimisht ka sqaruar se ai nuk është personi për të cilin ekziston vendimi, përkundër kësaj zyrtarët policorë pas konsultimit me AKI kanë vendosur që ta dërgojnë edhe Gunakan. Si ka mundësi kjo dhe çfarë masa keni ndërmarrë ndaj zyrtarëve përgjegjës të cilët kanë qenë të informuar se identifikimi është bërë gabimisht?

Asnjëri nga personat e arrestuar nuk kishte me vete pasaportë apo ndonjë mjet tjetër udhëtimi, si ka mundësi që ata kanë kaluar aeroportin e Prishtinës pa mjet të udhëtimit? Ligji për kontrollin kufitar në nenin 12, par 1.1 ka paraparë: “Zyrtari policor kufitar gjatë kryerjes së kontrollit kufitar të personave, është i autorizuar që: të kërkojë dokument të vlefshëm udhëtimi ose dokument tjetër të përcaktuar për kalimin e kufirit shtetëror, ta përcaktojë identitetin e personit i cili ka për qëllim të kalojë kufirin shtetëror;”. Detyrimi i tillë dëshmohet edhe nga fakti se udhëzimi administrativ për kthimin e personave me qëndrim të paligjshëm në nenin 29 dhe 30 ka paraparë që personave që nuk kanë pasaportë MPB të u ofrojë dokument udhëtimi dhe pastaj të i dërgojë për në shtetin përkatës. Çfarë masazh janë ndërmarrë ndaj zyrtarëve policorë të cilët kanë bërë këtë shkelje?

Pse Mustafa Erdem, i cili kishte shtetësi shqiptare dhe mbi bazën e kësaj shtetësia kishte fituar leje qëndrimi në Kosovë, nuk është dërguar në Shqipëri por në Turqi? Udhëzimi Administrativ për kthimin e personave me qëndrim të paligjshëm në nenin 17, par.16 parasheh që personi me 2 shtetësi ka të drejtë të zgjedh se në cilin shtet dëshiron të largohet. Si ka mundësi që zotërit Erdem, i është mohuar një e drejtë e tillë?

Si ka mundësi që shtetasit turq janë dëbuar për në Republikën Turke kur të njëjtit rrezikojnë që të keqtrajtohen dhe të torturohen atje për shkak të bindjeve të tyre, siç ka raportuar edhe komisionari i lartë i OKB’së për Turqi, dhe po ashtu duke marrë parasysh se legjislacioni jonë vendor dhe ndërkombëtar ndalon torturën, trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues?.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se kanë marrë përgjigje nga 15 institucione të Kosovës, përfshirë edhe Presidencën. Express raporton nga mbledhja e Komisionit se Presidenca ka njoftuar se nuk kanë materiale lidhur me rastin e deportimit të gylenistëve.