Komunat

Falja e tatimit në pronë, Ibrahimi paralajmëron pasoja të rënda financiare për komunat

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dje ka vendosur që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në ligjin për tatimin në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Vendimi i kushtetuese në favor të faljes së tatimit në pronë prej 100 eurosh, do të ketë impakte financiare për secilën komunë.

Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë për Indeksonline se do të pësojnë komunat.

“Gjykata Kushtetuese me vendimin e fundit ja ka dhënë të drejtën komunave sa i përket faljes.

Nëse Komunat në bazë të shënimeve që i kemi, nëse do ti falin këto mjete atëherë do të kenë mungesë të buxhetit rreth 27 milionë e 863 mijë euro. Kemi komuna që do të kenë mangut 6 milionë e 814, 3 milionë etj.

Nga këto mjete të cilat janë të planifikuara, buxhetet komunale hartohen dhe miratohen në kuvendet komunale në shtator për vitin e ardhshëm kuvendet komunale, kanë marrë vendim për buxhetet e tyre në shtator të këtij viti dhe tash këto mjete janë të planifikuara për vitin e ardhshëm,

Ndoshta në disa raste do të mungojnë investimet kapitale që është një shumë e madhe pastaj ka mundësi të zvogëlohen subvencionet ndaj studentëve, fermerëve etj.”, tha Ibrahimi.

Ndryshe, në gusht të këtij viti, Komuna e Prizrenit dorëzoi kërkesën në kushtetuese për të kontestuar nenin 5 të ligjit të ndryshuar , që parasheh faljen në vlerë prej 100 eurosh të tatimit në pronë për çdo tatim –pagues për vitin 2023.

Ai po ashtu ka shprehur shqetësimin edhe për një mendim tjetër juridik nga i cili do të kenë pasoja komunat.

“Komuna do të pësojnë në përgjithësi rreth 28 milionë euro, shto kësaj mendimin juridik që ka ardhë nga Gjykata Supreme, ku Komunat edhe pse nuk janë nënshkrues të kontratave kolektive, mirëpo pa drejtësisht po ju merren mjetet financiare nga buxhetet e tyre për zbatimin e kontratës kolektive.

Tash edhe gjykata supreme ka ardhur me një mendim juridik, ku mësimdhënësve duhet t’iu kompensohen, çështja e licencimit edhe inflacionit.

Në bazë të shënimeve që i kemi nëse bëhet edhe ky veprim nëse i merren komunave edhe mbi 20 milionë euro për zbatimin e mendimit juridik atëherë sinqerisht komuna nuk do të kenë mjete financiare për investime kapitale.

Shto kësaj edhe qeveria për buxhetin e vitit të ardhshëm, 22 komunat do të kenë shkurtime buxhetore në investime kapitale për projekte të reja.

Komunat do të jenë në një situatë më të pa volitshme sa i përket investimeve kapitale.

Janë tri elemente, është falja vendimi juridik për zbatimin e kontratës kolektive dhe shkurtimet nga niveli qendror për investime kapitale për projekte të reja nga 22 komuna, komunat do jenë në pozitë të pavolitshme”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, nga këto vendime do të kenë pasoja, sidomos komunat e vogla dhe të mesme.