Faik Fazliu dërgon ankesë dhe raport mjekësor, Inspektorati Policor nis hetimet

Zyrtarë të Policisë së Kosovës arrestuan mbrëmjen e së shtunës anëtarin e Kryesisë së OVL-UÇK-së, Faik Fazliu.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu thuhet të jetë arrestuar për shkak të kanosjes në drejtim të një prej zyrtarëve policorë.

“I dyshuari F.F i lindur në vitin 1977, ka kanosur verbalisht personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrë zyrtare. Zyrtarët policorë po asistonin në kontrollimin e një lokali (kafiteri), së bashku më inspektorët e AUV-it, lidhur me mosrespektimin e masave antiCOVID19”, u tha në përgjigjen e policisë.

Gjithashtu u  theksua se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Në disa video të publikuara dje shihet se zyrtarët policorë arrestuan Fazliun pas një bisede tejet të shkurtër me të, ndërsa i njëjti u lirua të nesërmen, apo saktësisht ditën e djeshme.

Lidhur me këtë rast, lajmi.net ka kontaktuar Inspektoratin Policor të Kosovës të cilët kanë theksuar se pas publikimit të pamjeve, IPK ka filluar një hetim preliminar.

Gjithashtu u theksua se hetuesit e Departamentit të Menaxhimit të ankesave sot në objektin e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar ankesën e Faik Fazliut, bashkë me raportin mjekësor.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj. Hetuesit e Departamentit të Menaxhimit të ankesave sot në objektin e IPK-së kanë pranuar ankesën nga z. Fazliu së bashku me raport mjekësor dhe të njëjtat së bashku ankesë janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së”, u tha në përgjigjen e IPK-së.

Tutje u tha se veprimet tjera hetimore pritet të ndërmerren bazuar në fushëveprimin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Pas arrestimit që iu bë Faik Fazliu pati reagime të njëpasnjëshme. Ndër ata të cilët reaguan ishte edhe u.d se Kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ndër të tjerash tha se kërkon lirimin e menjëhershëm të tij dhe që rasti të shkojë në procedurë të rregullt.

Por tjetër reagim pati i pari i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ai tha se sundimi i ligjit në shtetin e së drejtës, nënkupton edhe ushtrimin e detyrës nga zyrtarët policorë pa pengesa.

Ai tha se ka mbaruar koha kur zyrtarët policorë fyen e sulmohen gjatë ushtrimit të detyrës nga të ashtuquajturit “të fortët”.

“Përgjigje e shpejtë dhe konform ligjit për të gjithë personat që tentojnë “t’i kryejnë punët privatisht me policët tanë.Stop sjelljeve banditeske. Askush mbi ligjin”, shtoi ai.

Duhet përkujtuar që Inspektorati Policor gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtyre muajve ka patur një numër të madh të ankesave në drejtim të zyrtarëve policorë.

Gjatë vitit 2020 Inspektorati Policor kishte rekomanduar 83 suspendime dhe një transferim. Ndërsa përgjatë kësaj periudhe janë arrestuar 23 zyrtarë policorë.