Facebook-u paguan 500 mijë funte për skandalin “Cambridge Analytica”

Kompania gjigante amerikane, Facebook, është pajtuar që të paguajë një gjobë maksimale prej 500 mijë funtesh Zyrës së Komisionerit për Informacione të Britanisë së Madhe lidhur me skandalin “Cambridge Analytica” në rastin gjyqësor që zgjati më shumë se një vit.

Kjo zyrë kishte bërë të ditur në korrik të vitit të kaluar se do të marrë masa për ta gjobitur rrjetin e famshëm social. Ajo e paditi zyrtarisht gjigantin amerikan tre muaj më vonë, në tetor. Sidoqoftë, drejtuesit e kompanisë dorëzuan ankesë.

Që nga zbulimi i këtij skandali në vitin 2015, para miratimit të rregullores së përgjithshme të BE-së për mbrojtjen e të dhënave në vitin 2018, gjoba më e lartë që kjo zyrë mund ta shqiptonte ishte 500 mijë funte. Nëse rasti do të kishte ndodhur pas majit të vitit të kaluar, rrjeti social do të mund të dënohej me 4 për qind të vlerës së të hyrave vjetore.

“Mbrojtja e të dhënave personale dhe privatësisë personale ka rëndësi thelbësore, jo vetëm për të drejtat e individëve, por edhe për ruajtjen e një demokracie të fuqishme. Na vjen mirë që kompania Facebook ka marrë hapa seriozë për t’i zbatuar parimet themelore për mbrojtjen e të dhënave”, tha James Dipple-Johnstone, zëvendëskomisioner i organit britanik.

Arritjen e marrëveshjes mes komisionerit dhe rrjetit social e mirëpritën edhe avokatët përfaqësues të Facebook-ut, të cilët thanë se platforma e famshme ka bërë ndryshime të mëdha për mbrojtje më të mirë të të dhënave, shkruan “The Guardian”.

loading…