Evropa shqyrton mundësinë e lehtësimit të masave para Krishtlindjes

Disa javë në përballje me valën e dytë të koronavirusit, disa vende në Evropë po shqyrtojnë mundësinë e lehtësimit të masave kufizuese, pas disa sinjaleve se masat e ndërmarra kanë frenuar përhapjen e pandemisë.

Lehtësimi i mundshëm i masave kufizuese vjen pothuajse një muaj para Krishtlindjes, teksa ka shqetësime për ndikimin social dhe ekonomik të masave kufizuese. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të mbajë një fjalim lidhur me situatën me pandeminë dhe mund të njoftojë për heqjen e pjesshme të masës së mbylljes kombëtare, që është në fuqi që prej 30 tetorit.

Në Gjermani, po diskutohet nëse duhet që vendimi për mbyllje të pjesshme – që pritet të skadojë më vonë gjatë këtij muaji – të vazhdohet apo jo. Në Poloni, kryeministri Mateusz Moraviecki paralajmëroi qytetarët kundër çdo udhëtimi gjatë kohës së Krishtlindjes, por tha se dyqanet do të lejohen të rihapen plotësisht nga 28 nëntori. Teatrot, baret dhe restorantet do të jenë të mbyllura deri pas Krishtlindjeve dhe në shkolla do të vazhdojë mësimi nga distanca.

Italia po ashtu po përpiqet të shpëtojë krishtlindjen e parë në erën e koronavirusit. Më 3 dhjetor atje skadojnë masat aktuale dhe po punohet për përcaktimin e rregullave në periudhën e festave. Zyrtarët thonë se dy javët e ardhshme do të jenë thelbësore.

Ata flasin për rregulla mbi lëvizjet mes rajoneve, por nuk do të ketë lëshime për evente në sheshe, e as për festa, mbi të gjitha në natën e ndërrimit të viteve. Vetë kryeministri Conte tha pak ditë më parë se duhet të përgatitemi për krishtlindje më ndryshe, me festimet, puthjet dhe përqafimet që nuk do të jenë të mundura.