Evropa shënon mbi 1 milion të vdekur nga COVID-19

Një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka bërë të ditur të enjten se Evropa ka tejkaluar shifrën prej milion të vdekurish nga COVID-19, duke alarmuar për seriozitetin e gjendjes në kontinentin me më shumë se 1.6 milionë raste të reja të të infektuarve për çdo javë.

Në përgjithësi, të dhënat e Universitetit Johns Hopkins kanë treguar se afro 3 milionë persona kanë vdekur shkaku i sëmundjes kudo në botë, me ç’rast Shtetet e Bashkuara të Amerikës figurojnë si më të goditurat, pasuar nga Evropa.

SHBA-ja, Brazili dhe Meksikoja kanë bilancin më të lartë të të vdekurve, duke numëruar bashkërisht më shumë se 1.1 milionë fatalitete. Ndërkaq, duke i adresuar shqetësimet lidhur me vaksinat, eksperti i OBSH-së për Evropë, Hans Klyge, ka thënë se rreziku nga pësimi i mpiksjes së gjakut është më i lartë për personat që janë prekur nga COVID-19 sesa për ata që kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë “AstraZeneca”.

Ai ka specifikuar se proporcioni i vdekjeve nga COVID-19 mes personave mbi 80 vjeç – të cilët janë prioritizuar për vaksinim – ka rënë për afro 30 për qind, shkallë kjo, sipas tij, më e ulëta që nga fillimi i pandemisë.