Europol: Numri i sulmeve ndaj bankomateve po rritet në mënyrë dramatike

Numri i sulmeve ndaj bankomateve (ATM) në Evropë po rritet në mënyrë dramatike, ka përcaktuar Europol.

Sipas kësaj agjencie, llojet e eksplozivëve të përdorur janë gjithashtu gjithnjë e më të fuqishëm dhe të rrezikshëm.

“Përdoren gjithnjë e më shpesh eksplozivë jashtëzakonisht të fuqishëm, të cilët shkaktojnë edhe shembje të ndërtesave dhe vdekjen e njerëzve të pafajshëm”, tha zëdhënësja e Europolit, Claire Georges.

Georges theksoi se policia ka identifikuar këtë prirje në rritje në shumë vende evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Evropën Jugore dhe shtetet baltike.

“Sulmet kryhen nga bandat kriminale që specializohen në shpërthime të tilla dhe veprojnë ndërkombëtarisht”, tha ajo.

Policia gjermane ka regjistruar 287 sulme në bankomat vitin e kaluar, ndërsa një vit më parë ka pasur 268.

Deri në shtator, policia holandeze regjistroi të njëjtin numër sulmesh ndaj ATM-ve si në të gjithë vitin e kaluar, pavarësisht rënies së numrit të bankomateve.