Europa ime: Ekstremizëm i djathtë, i zbutur nga paaftësia

Që ministri i Brendshëm i Austrisë kërkon t’i kufizojë mediet, të çudit më pak se fakti, që ai ishte boll budalla, sa ta shkruante këtë.

“Austria është një despote, e zbutur nga rrëmuja”, tha legjendari Victor Adler, duke vënë atëherë në shënjestër Perandorinë absolutiste. Sot në Austri është në pushtet ekstremizmi i djathtë, por i zbutur nga paaftësia e tij.

Herbert Kickl, deri vitin e kaluar farkëtari kryesor i parullave të partisë ultra të djathtë Partia e Lirisë, sot ministër i Brendshëm është sulmuesi i krahut të djathtë të qeverisë së djathtë të Vjenës. Në periudhën e shkurtër që ka prej ardhjes në post Kickli ka prodhuar tashmë një rrëmujë pas tjetrës. Në fillim ai foli që azilkërkuesit duhet “të mbahen në mënyrë të përqëndruar” dhe pastaj u habit, që këto fjalë të tij dolën në tituj të mëdhenj gazetash nga New Yorku në Melbourne. Pastaj përpjekja për ta vendosur shërbimin e mbrojtjes së rendit kushtetues nën kontrollin e partisë dështoi, kështu që shërbimi i sigurisë ndodhet që atëherë në gërmadha dhe ministri, pa ardhur mirë në post, ka në qafë një komision hetimor.

Dhe tani nga kabineti i tij erdhi urdhëri me shkrim që të bojkotohen mediet kritike, që të furnizohen me informacione vetëm mediet që mbajnë qëndrim miqësor dhe që aktivitetet e policisë të përdoren për hartimin e agjendës së të djathtës. Me siguri, edhe partitë demokratike janë përpjekur ta drejtojnë në mënyrë të qëllimshme raportimin. Por që të prodhosh një dokument të tillë prej disa faqesh, i cili mund t’u përcillet pastaj menjëherë medieve, dëshmon për të dyja: për paramendim dashakeq dhe për paaftësi të plotë.

Pas kësaj ministri, personifikimi i njeriut që nuk i mbyllet goja, u tha me zë të ulët punonjësve të tij: nuk isha unë, ishte sekretari im! Por e gjitha kjo natyrisht që është më shumë se një difekt i madh. Hap pas hapi edhe Austria ecën drejt Orbanizimit. Reformim autoritar plus helmim i klimës. Memorandumi drejtuar stacioneve të policisë është për këtë gati paradigmatik. Sepse në të stacionet e policisë udhëzohen jo vetëm që ta kufizojnë në minimum në të ardhmen përcjelljen e informacioneve ndaj medieve kritike – shprehimisht përmenden Falter liberal i majtë, Standard-i liberal dhe Kurier, liberal-konservatore, në një kohë që mediet më pak kritike dhe shtypi brohoritës i djathtë kërkohet të shpërblehen me “sheqerka”; por thuhet edhe se në të gjitha krimet seksuale në hapësirën publike në të ardhmen të përmendet në mënyrë të veçantë kombësia e dorasve.

Por meqenëse shumica e krimeve seksuale ndodhin në hapësirë të afërt personale (si rregull ato nuk bëhen të njohura më tej, jo më të përmendet edhe kombësia e dorasve), synimi del i qartë: fjala “i huaj” dhe fjala “përdhunim” duhet të lidhen në mënyrë të pandashme me njëra-tjetrën.

Helmim i klimës që nga kreu i ministrisë

Veç kësaj, synimi tjetër është i qartë: të krijohet një klimë frikësimi. Sigurisht që për momentin u vjen rëndë atyre medieve, që nuk janë përfshirë në listën “gazeta kritike” të Kicklit, sepse kush dëshiron të ketë noterizimin zyrtar, që të klasifikohet si “jo kritik”nga ministri? Por në plan afatgjatë, të gjithë gazetarët, të cilët varen nga informacione të ministrisë do të maten dy herë, nëse do ta lëndojnë ministrin.

Dhe kush e di se kush e ka radhën tani? Kontrolle në ndërtesat e medieve që punojnë në mënyrë investigative? Që kjo çështje duhet të jetë diskutuar seriozisht në kuadër të aferës së shërbimit të fshehtë pranë drejtimit të ministrisë, kjo ka kohë që qarkullon në botën mediatike. Redaksitë gjithsesi i kanë pajisur me manuale gazetarët e tyre se çfarë duhet të bëjnë në rastin e aksioneve policore komandë kundër gazetave.

Gjithçka ecën sipas një skenari të frikësimit të opozitës, siç është sprovuar ai prej kohësh në vende të BE si Poloni dhe Hungari. Kjo mënyrë veprimi ende duket skandaloze dhe shkakton tituj të mëdhenj gazetash dhe komente luftarake. Por Evropa megjithatë ndodhet në një lloj niveli të pjerrët. Ajo që më parë konsiderohej si sjellje krejtësisht e pamundur në një demokraci pluraliste, është sot njëri prej shumë opcioneve, në njëfarë mënyre një mundësi e diskutueshme.

Më parë ishte demokracia pluraliste me standardet e saj të konsensusit, mbi bazën e të cilave zhvilloheshin debate pikëpamjesh të kundërta, sot pluralizmi dhe standardet demokratike vetë janë vetëm një mundësi dhe në këtë mënyrë jo më konsensus, por të diskutueshme. Ende është një shumicë ajo që e kërcënon ministrin, por ithtarët e tij kjo nuk do t’i bëjë të pasigurtë: FPÖ në fund të fundit gjithmonë u ka rënë daulleve se do t’i spastrojë “elitat”. Dhe me këtë partia e ka fjalën më pak për donatorët e saj nga Big Business dhe lobingu i armëve, por  për redaktorët, të cilët pengojnë transformimin autoritar të shtetit.