Eurodeputeti Mandl: Kosova është shtet – Serbia gaboi duke mos iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë

Eurodeputeti Lukas Mandl ka vlerësuar se liderët në Serbi kanë bërë gabim që nuk i janë bashkuar sanksioneve kundër Rusisë.

Gjatë një interviste për mediumin serb “Danas”, Mandl – që është deputet nga Austria dhe është anëtar i delegacionit të PE për marrëdhëniet me Kosovën – ka folur edhe rreth dialogut Kosovë-Serbi.

“Meqenëse liderët serbë bënë gabimin që nuk iu bashkuan mbrojtjes “pa gjak” kundër një sulmi të përgjakshëm lufte – pra sanksioneve (kundër Rusisë) – dhe në këtë drejtim zgjodhën anën e gabuar për një çështje shumë më të gjerë, e gjithë bota ndjeu se ka pasur një problem në vendin tuaj, i cili ka vazhduar për shumë më gjatë. Kjo është arsyeja pse shumë tani po e ndjekin me vëmendje sjelljen e shtetit të Serbisë dhe kjo në mënyrë indirekte tërheq vëmendjen ndaj qëndrimit të papranueshëm (Serbisë) ndaj Kosovës, i cili po vazhdon për shumë vite”, ka shpjeguar Mandl.

Ai është pyetur edhe se “si e sheh rrjedhën aktuale të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës – a jemi pranë shansit për arritjen e ndonjë marrëveshjeje, dhe eventualisht “njohjen reciproke”, që kërkohet në rezolutën e PE”.

Lidhur me këtë ai ka thënë se do ta quante “dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, për shkak se siç ka theksuar ai “qytetet nuk bisedojnë me njëri-tjetrin, por shtetet”.

Dhe sipas tij, do të arrihet edhe njohja reciproke.

“Kur dialogu Kosovë-Serbi të kontribuojë në këtë qëllim, kuptimi i kësaj do të realizohet”, ka thënë më tej Mandl.

Ndërsa i pyetur rreth asaj se cilat janë kundërshtimet e tij ndaj qëndrimit aktual të autoriteteve serbe ndaj Kosovës, Mandl ka vlerësuar se “gjithçka është shumë problematike kur aktivitetin tënd e bazon me pretendimin se shteti fqinj nuk është shtet, por madje i përket tokës tënde”, përcjell Telegrafi.

“… Prandaj le të fokusohemi në një të ardhme të ndritur me mundësi të mëdha për gjeneratat e ardhshme në Serbi dhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, e cila vjen kur të kapërcejmë konfuzionin aktual. Ky konfuzion përfshin shumë më tepër sesa çështjen e dukshme të njohjes me kohë të Republikës së Kosovës, përfshin gjithashtu çështje nga krimi i organizuar deri te standardet demokratike, nga varësia nga Kina apo edhe nga Rusia, te demografia apo kujtesa kolektive e historisë”.