Emisari i BE-së

Euractiv: Lajçak me mision që ta qetësojë Beogradin për çështjen e dinarit

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, vlerësohet se ka marrë mbi supe misionin e “zbutjes së tensioneve” mes Prishtinës e Beogradit.

Kështu ka shkruar rrjeti mediatik evropian i cili është specializuar në çështjet e BE-së, Euractiv, pas lajmeve për ndalimin e qarkullimit të dinarëve dhe çdo valute tjetër monetare përveç euros nga Banka Qendrore e Kosovës.

Në artikullin e tyre theksohet se këtë mision të ri e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Zëdhënësi i BE-së Peter Stano përmendi se Lajçak do të vizitojë Prishtinën si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndihmuar partnerët të çojnë përpara dialogun”, thuhet në artikull.

Tutje specifikohet se presidenti serb Aleksandar Vuçiq të hënën në takim me Lajçakun ka theksuar “nevojën urgjente për zgjedhje në veri të Kosovës, formimin e Komunitetit të Komunave Serbe dhe kërkoi mbështetjen e BE-së për ndalimin e provokimeve të mëtejshme nga Prishtina”.

Vizita e Lajçakut në Beograd i paraprin zbatimit të pritshëm të rregullores së Bankës Qendrore të Prishtinës, që e bën euron valutën e vetme për transaksione në Kosovë, përcjellë RTKlive.

Euro ka qenë monedha e vetme që ka pasur të drejtën e qarkullimit sipas ligjeve të Kushtetuës së Kosovës. Tashmë BQK ka bërë publik synimin e zbatimit të kësaj rregulloreje.