ETIAS

ETIAS nuk do të nisë funksionimin në vitin 2024

Bashkimi Evropian ka shtyrë edhe një herë datën e nisjes së Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Kështu kanë konfirmuar burime të unionit për “SchengenVisaInfo.com”, e cila shkruan se BE-ja vazhdimisht ka pretenduar se ETIAS do të bëhej funksional nga mesi i vitit 2024.

Por një zyrtar i BE-së ka konfirmuar se data e nisjes është shtyrë për në maj të 2025-s.

Fillimisht ishte shpresuar që edhe EES të bëhej funksional deri në fund të këtij viti ose, më së voni, në fillim të vitit të ardhshëm.

Për shkak të vonesave të paparashikuara, është bërë evidente se ky afat kohor është i paarritshëm.

Si rezultat, zbatimi i ETIAS është riplanifikuar në maj 2025, me mundësi shtyrje të mëtejshme.

Si ETIAS ashtu edhe EES janë krijuar nga BE-ja në një përpjekje për të rritur sigurinë në bllok dhe për të mbajtur gjurmët se kush po planifikon të vijë, kush hyn dhe kush largohet nga territori i BE-së dhe Zonës Shengen.

Të dyja ato do të bëjnë një revolucion në udhëtimet drejt dhe nga blloku.

Pritet që ETIAS të prekë 1.4 miliardë njerëz nga mbi 60 vende të ndryshme të botës, të cilët aktualisht udhëtojnë në 27 vendet e zonës Shengen pa pasur nevojë të marrin një vizë qëndrimi të shkurtër, duke përfshirë këtu amerikanë, britanikë, shqiptarët, kanadezët, etj.

Skema ETIAS fillimisht u vendos të lancohej në vitin 2022 dhe më pas u shty për në fund të të njëjtit vit.

Më vonë, data kur kjo kërkesë u bë e detyrueshme për udhëtarët u zhvendos në 1 maj 2023 dhe pa ndonjë njoftim apo arsye pas një lëvizjeje të tillë, ETIAS u shty për në nëntor 2023.