Ethet e PISA-s zënë prapë Kosovën

Njohuritë e nxënësve kosovarë do t’i nënshtrohen edhe njëherë testit ndërkombëtar PISA.

Shtatë mijë nxënës, nga 15 vjeç, të përzgjedhur nga 237 shkolla të Kosovës, do të testohen në ditë të caktuara nga 25 prilli deri më 20 maj.

PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.

Këtë herë thuhet se po bëhen përgatitje më intensive, me nxënës që mbajnë orë shtesë, pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë javë Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, ku ka takuar Melik Fetahun dhe Medina Shalën – të dy nxënës të përzgjedhur për testin PISA.

Të dy ata, pasi mbajtën orë shtesë në lëndën e matematikës, thanë se presin që ta kalojnë me sukses testin.

“Po mundohemi dhe po angazhohemi së bashku me arsimtarë që të kemi rezultate të mira. Shpresoj t’ia dalim mirë”, tha Medina.

Nga shkolla “Dardania”, PISA-s do t’i nënshtrohen 19 nxënës. Koordinatorja e grupit të nxënëseve pjesëmarrës, Arlinda Idrizaj- Zeqiri, thotë se mësimdhënësit janë përkushtuar për përgatitjen sa më të mirë të tyre.

“Kemi marrë material nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, shembuj të pyetjeve dhe të mënyrës se si duhen përgatitur nxënësit teknikisht. Unë i kam përgatitur në mënyrë teknike, kurse mësimdhënësit e matematikës dhe të gjuhës janë duke i përgatitur vazhdimisht, aq sa kanë mundësi dhe kohë”, thotë Idrizaj-Zeqiri.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës konfirmojnë se “nxënësit janë njoftuar me natyrën e pyetjeve të testit dhe me mënyrën e plotësimit të testit në kompjuter”.

“Janë përzgjedhur 7,000 nxënës nga 237 shkolla dhe janë siguruar hapësirat me kompjuterë, ku do të mbahet testi”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t për REL-in.

Ekspertë të fushës së arsimit, megjithatë, nuk janë optimistë për rezultate të mira në PISA.

“Rezultatet do të jenë drithëruese”, thotë për Radion Evropa e Lirë Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.

Sipas tij, cilësia në arsim edhe më herët nuk ka qenë e kënaqshme, por në dy vjetët e fundit është përkeqësuar, për shkak të mësimit në distancë që, kohë pas kohe, ka imponuar pandemia e koronavirusit.

“Ne, kur kemi qenë edhe në kushte më të mira, rezultatet kanë qenë shqetësuese”, thotë Halimi.

Ngjashëm shprehet edhe Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit në organizatën “Ed-Guard”, me seli në Prishtinë.

“Testi PISA nuk duhet të jetë qëllim më vete. Synim duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit, si interes shtetëror për zhvillimin socio-ekonomik, e jo vetëm për rezultate të testit”, thotë Qehaja.

Rezultatet e testit të parë PISA, që është mbajtur në Kosovë në vitin 2015, janë publikuar në vitin 2016. Kosova, asokohe, është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

PISA e dytë në Kosovë është mbajtur në vitin 2018 dhe nga rezultatet e publikuara më 2019, Kosova ka dalë e 77-ta në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar testimit.

Testi i sivjetmë ka qenë i paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar edhe në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, në të cilin është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet të investojë në digjitalizimin e mësimit.

“Në shkollat tona ende mësohet me shkumës e tabelë, e madje tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kurrikulën dhe mësimdhënësit gjithmonë janë të sfiduar dhe në telashe për ta mbajtur si duhet mësimin”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari.

Kosova duket se ka cilësi më të dobët të arsimit edhe në krahasim me vendet fqinje.

Në testin PISA më 2018, e para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka qenë Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.