Etem Arifi ‘problematic guy’ i Kosovës

Deri dje, deputetin nga komuniteti ashkali, nuk është që e njihte ndokush në Kosovë. Përkundër që ishte deputet për disa mandate në Kuvendin e Kosovës, deri para pak muajsh, ky deputet nuk është se gëzonte famë. Ndërsa, sot ështe emri të cilin e njohin i madh e i vogël, për shkak se një votë e tij ndryshoi qeveritë.

Gjykata Kushtetuese mbrëmë ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi, për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Por, cila është historia e Etem Arifit, i cili u shëndërrua në ‘problematic gay’, brenda pak muajve, e i cili u bë shkas që të rrëzohet Qeveria Hoti.

Deputeti i Etem Arifi me 20 prill 2018, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 2 vjet burg me kusht, dënim ky i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda 3 viteve nuk kryenin vepër të re penale.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale, sa i përket vendimit mbi dënimin.

Apeli, aktgjykimin e shkallës së parë e kishte ndryshuar dhe të akuzuarit Etem Arifi i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj.

Deputeti Etem Arifi bashkë me Bajram Gashin, që kishte drejtuar OJQ-në “Zëri i Ashkalinjve”, janë akuzuar akuzohen për përvetësim të rreth 26 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646.00 euro.

Të akuzuarit janë obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) t’ia kompensojnë shumën prej 22.900 euro si dhe Zyrës për Komunitete në Kryeministri shumën prej 2.749 euro.

Por, pavarësisht se i njëjti ishte I dënuar në formën e prerë, ai mori pjesë në momentin e votimit të Qeverisë Hoti, kohë kur kjo qeveri gërmonte në çdo vend për të siguruar 61 vota për ta krijuar qeverinë.

LDK kishte krijuar qeverinë e re pas rrëzimit nga detyra të Albin Kurtit me një mocion mosbesimi.

Pjesë e koalicionit qeveritar u bë edhe AAK dhe NISMA, por, duke qenë ende e pamjaftueshme me shifrat në Kuvend.

Sakaq, Lëvizja Vetëvendosje më 11 korrik 2020, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese votën e deputetit Etem Arifi, ku sipas tyre nuk kishte pasur legjitimitet në momentin kur kishte votuar duke qenë se ishte i dënuar nga gjykata me vendim të prerë.

Më parë, në lidhje me këtë ankimin, Gjykata Kushtetuese zhvilloi një seancë dëgjimore publike, duke mbledhur të gjithë pikëpamjet në lidhje me votën e deputetit Arifi.

Arifi është i dënuar me 1 vit e 3 muaj burg për mashtrim.

Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që sot t’i ftojë partitë politike për konsultim rreth datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Pas konsultimit me subjektet politike, pritet të shpallet edhe data e zgjedhjeve, jo më larg se 40 ditë sipas nenit 95 të Kushtetutës së Kosovës.