Eskalon në fyerje Haskuka, e quan rrugaçe asamblisten e PDK-së

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka eskaluar në fyerje ndaj asamblistes së PDK-së atje, Sherife Balajt, e cila e ka kritikuar atë në Kuvendin Komunal për çështjen e buxhetit, duke i kërkuar ta lë vetë pozitën e kryetarit.

Balaj i kërkoi Haskukës që të shkojë në Prishtinë, aty ku ajo tha se kryetari i Prizrenit jeton me familjen e tij.

“Merre këtë buxhet, e maje me vete, çoje në Prishtinë, atje ku jeton me familjen tënde e dorëzohu sot e përgjithmonë. Thuaj dua të kthehem në Filozofik, dua të japë ligjërata, se boll e ke mashtruar qytetin”, tha Balaj.

Ajo tha se tani është radha që qytetarët e Prizrenit të qeshin me Haskukën.

“Nuk ka nevojë me qesh se qesh keni qesh që katër vjet. Tash e kanë radhën qytetarët me qeshë me ju”, tha Balaj.

Replikën ndaj saj, Haskuka e nisi menjëherë me fyerje. Ai e quajti “rrugaçe” Balajn, të cilën e akuzoi se po shpifte.

“Rrugaçeve të cilat shpifin dhe gënjejnë nuk kam nevojë me iu përgjigj. Unë ndaj shpifjeve nuk kam ndërmend me u përgjigj”, tha Haskuka.