“Është koha që shteti ynë t’ia heqë Kosovës bllokadën e liberalizimit të vizave”

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm pa pasur lirinë e lëvizjes pa viza në Zonën Schengen. Përveç Francës, skeptike është edhe Holanda, shtete këto që vazhdojnë të konstatojnë se Kosova duhet të bëjë edhe më shumë në lutën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Lidhur me këtë qëndrim të Holandës sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët, në gazetën holandeze “Trouw” kanë dalë me një shkrim të përbashkët, eurodeputeti holandez Thijs Reuten dhe aktivisti Stefan van Dijk.

Në këtë shkrim të përbashkët, Reuten dhe van Dijk kërkojnë që Holanda të mbështes Kosovën demokratike dhe kanë kërkuar që të hiqet bllokada për udhëtim pa viza, bllokadë të cilën Reuten dhe van Dijk e quajnë “të pakuptimtë”, transmeton Express.

Tutje të dy përmendin faktin se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë konstatuar se Kosova i ka plotësuar kushtet dhe se objektivisht është e gatshme për të marrë liberalizimin e vizave.

Derisa theksojnë se për fat të keq ka shtete anëtare të cilat s’janë dakord, e këtu bëjnë pjesë Franca dhe Holanda.

Të dy holandezët, autor të shkrimit, thonë se Qeveria e Holandës nuk është mjaftueshëm e bindur për progresin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, derisa theksojnë se një qëndrim i tillë është i pa qartë dhe vështirë i vërtetueshëm.

Stefan van Dijk

Përveç kësaj, Reuten dhe van Dijk thonë se një qëndrim i tillë i Holandës është i motivuar edhe politikisht, dhe shtojnë se duke vepruar në një mënyrë të tillë, politika holandeze po minon një proces që është ndërtuar mbi kritere të paanshme.

“Duke vepruar kështu, politikanët tanë minojnë një proces që është ndërtuar mbi kritere të paanshme”, thuhet në tekstin e përbashkët.

Të dy autorët thonë se duke mos mbajtur premtimet, atëherë rrezikohet që Kosova të largohet nga gjiri Evropian.

“Duke mos i mbajtur premtimet, rrezikojmë ta largojmë popullin e Kosovës nga ne. Kjo nuk është në interesin e askujt, as në interesin tonë”, theksohet tutje.

Reuten dhe van Dijk shtojnë se në këtë kohë kur disa vende po shfaqin tendenca autokratike, atëherë duhet dhënë mbështetje një vendi demokratik dhe të orientuar drejt BE-së si Kosova. Të dy thonë se është koha që Holanda të heq bllokadën ndaj kosovarëve për çështjen

“S’është e nevojshme që të shpjegojmë se sa e padëshirueshme është që vendet e Ballkanit Perëndimor të shikojnë drejt Rusisë dhe Kinës, në vend të Bashkimit Evropian. Në një kohë kur disa vende evropiane po shfaqin tendenca autokratike, ne duhet të mbështesim një vend demokratik, të orientuar drejt BE-së si Kosova. Është koha për të lënë mënjanë ndjenjat e brendshme dhe për t’u dhënë kosovarëve sinjalin e duhur. Është koha që Holanda të heqë bllokadën e pakuptimtë kundër udhëtimit pa viza”, thuhet në këtë shkrim