Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi është në fazë kritike.

Në një ‘brifing’ me gazetarë të martën, Escobari ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po angazhohen që Kosova e Serbia t’u kthehen marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

“Do të thosha po (a është dialogu në fazë kritike). Më duhet të them se jemi të angazhuar që t’u kthehemi marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Nuk ka alternativë dialogu i lehtësuar nga Brukseli, ai ka qenë mekanizmi për zgjidhjen e shumë çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tejkalimin e dallimeve. U kërkoj palëve që të respektojnë të gjitha marrëveshjet posaçërisht aneksin e Ohrit, të dëshmojnë përkushtim. Kjo është një nga arsyet kryesore pse e vizitoj rajonin”, ka thënë ai.

Sa i përket Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që “euroja të jetë e vetmja valutë”, Escobari ka thënë se SHBA-ja nuk e vë në diskutim ligjshmërinë e vendimit, por zbatimin e tij. Sipas tij, Qeveria s’ka ofruar as alternativa për pagesë.

“Kemi dëgjuar shumë raporte për vështirësitë që qytetarët e Kosovës në veri po përballen dhe i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i marrë parasysh shqetësimet e ndërkombëtarëve për mënyrën si po i trajton komunitetet. Arsyet pse e kundërshtojmë: Shpejtësia e zbatimit, nuk po diskutojmë në legalitetin e vendimit por zbatimin e tij. E dyta, Qeveria nuk ofroi alternativ si t’i pranojnë pagesat dhe këta njerëz u privuan nga to. Nuk ka pasur shtrirje. E fundit, dy javë para njoftimit të vendimit, Kosova u pajtua në Shkup me vendet tjera për pagesat elektronike dhe sikur të pritej kjo çështje do të zgjidhej. Duhet që Qeveria të punojë me komunitetin ndërkombëtar që të gjejë zgjidhje për këtë vendim katastrofal, që krijon kaos në ekonominë e Kosovës”, ka thënë ai.